Gjashtë persona, mes të cilëve dy fëmijë, kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë tre automjete.
Aksidenti ka ndodhur në Rrugën e Kombit, në aksin Rrëshen-Milot.
Dy prej automjeteve të përfshira në aksident janë me targa të Kosovës, një tip Volkswagen me targë KS 02-994 IG dhe tjetri tip Opel me targa KS 03-272 FI, ndërsa makina e tretë është tip Benz me targat e Shqipërisë, AA 254 OH.
Policia njofton se si pasojë e përplasjes janë lënduar drejtuesi dhe një person tjetër që ishte pasagjer në automjetin Volkswagen dhe katër persona që ndodheshin në mjetin Opel.
Tre prej të plagosurve janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa tre të tjerët, përfshi dy fëmijë janë transportuar në Spitalin e Rrëshenit për të marrë ndihmën mjekësore.
Për nxjerrjen e të plagosurve nga makinat u kërkua edhe ndërhyrja e zjarrfikëses, ndërkohë që aksidenti bllokoi për disa minuta qarkullimin në Rrugën e Kombit.
Policia thotë se ka ngritur një grup hetimor për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.