Telegrafi

Aksidentet në trafik, Mehmeti: Situata është e papranueshme, pritet ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se ka rritje të aksidenteve në trafik, ndërsa sipas tij situata është e keqe dhe si e tillë është e papranueshme.

Mehmeti në një konferencë për media tha se nga studimet që janë bërë edhe në vendet e rajonit, edhe periudha e mbylljes për shkak të pandemisë ka ndikuar në rritjen e aksidenteve dhe dhunës në përgjithësi.

“E kemi një situatë të papranueshme dhe të keqe lidhur me sigurinë rrugore”, tha Mehmeti.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se aktualisht janë me dy operacione aktive për sigurinë, ndërsa tashmë kanë futur edhe përdorimin e dronëve për kontrollin në trafik.

Ai tha se vetëm nga janari deri më 7 qershor janë shqiptuar mbi 170 mijë gjoba trafiku.

Lexo po ashtu Për tre muaj Policia në Prishtinë konfiskoi rreth 200 patentë shofer për mosrespektim të dritës së kuqe në semaforë

Sipas tij, problemi i sigurisë në trafik është multi-dimensional dhe duhet të përfshihen disa akterë në këtë fushë.

Drejtori i Policisë tha se janë disa masa afatmesme që pritet të ndërmerren, ndër të cilat është edhe ndryshimi i Ligjit për sigurinë rrugore.

Ndër ndryshimet që pritet të bëhen është edhe kalimi i përgjegjësisë nga vozitësi i automjetit, edhe te pronari i automjetit.

Ai tha se me digjitalizimin e sistemit, mundet që shqiptimi i gjobave të bëhet edhe pa ndalur fizikisht personin.

Drejtori i Policisë më tej u shpreh se me ndryshimin e Ligjit do të rishikohet edhe mënyra e gjobitjes, dënimit, sidomos në rastet kur aksidentet përfundojnë me fatalitet.

Ai mori shembullin e Zvicrës, kur në rastet e aksidenteve me fatalitet për shkak të përdorimit të telefonit, telefoni të konsiderohet si armë.

“Qytetari duhet të kuptojë që siguria në trafik është e keqe dhe të mos vdesin familjet në aksident”, tha ai. /Telegrafi/