Site icon Telegrafi

Aksident tragjik në Gjermani, ndërron jetë futbollisti shqiptar Amir Ademi

Futbollisti shqiptar nga Kosova, Amir Ademi ka ndërruar jetë duke lënë pas vete prindërit e tij, një motër më të vogël dhe një vëlla më të vogël.

Të martën mbrëma ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka humbur jetën i riu shqiptar, futbollisti Amir Ademi.

Njoftimin e vdekjes së tij në aksident trafiku e ka dhënë në Facebook klubi shqiptar, FC Kosova Regensburg.

Amir Ademi

“Të dashur vëllezër edhe motra e miq të nderuar. Me hidhërim edhe dhimbje të thellë ju lajmërojmë se vëllai, miku edhe i dashuri jonë, Amir Ademi ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme…”.

“Ngushëllime familjes edhe të gjithë miqve edhe shokëve për këtë humbje të madhe”.

“Amiri do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, thuhet në njoftimin e FC Kosova Regensburg.

Sipas mediave gjermane, 22-vjeçari u aksidentua në rrugën midis qyteteve Abensberg dhe Arnhofen, duke u kthyer pas stërvitjes.

Pamje nga aksidenti

Ademi thuhet se ishte duke vozitur një veturë të markës Peugeot, derisa është përplasur me një Pasat, ku vozitësi i kësaj veture është lënduar dhe është dërguar në spital, ndërsa vetura e futbollistit shqiptar ishte kapluar nga zjarri dhe ai nuk kishte arritur të dilte.

Pas këtij rasti, ndeshjet e klubit shqiptar në Gjermani janë anuluar, derisa Ademi ishte pjesë e klubit nga viti 2016, duke u konsideruar një talent i jashtëzakonshëm, por edhe një person shumë i mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version