Telegrafi

Aksident trafiku me fatalitet në Gjilan, 48 orë ndalim për personin që shkaktoi aksidentin

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin O.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari O.K., më 29 janar 2020, rreth orës 20:10 minuta, në Gjilan, duke drejtuar automjetin e markës ‘’Chevrolet Trailblazer’’, ka shkaktuar vet-aksident, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, ku për shkak të kushteve të rrugës, fillon t’i bartet automjeti, del jashtë rrugës dhe godet shtyllën elektrike, me ç’rast si pasojë e goditjes lëndohet rëndë pasagjeri i tij, tani i ndjeri A.SH, i cili fillimisht kërkon ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.

Më tej shpjegon prokuroria se i ndjeri pasi merr ndihmën e parë, transferohet për në QKUK, në Prishtinë, me ç’rast gjatë transportit, nga drejtuesi i autoambulancës, në fshatin Bresalc shkaktohet vet-aksident, ku lëndime trupore pësojnë drejtuesi i autoambulancës, mjeku, tekniku dhe i lënduari i cili po transferohej.

Pas kësaj, të njëjtit transferohen me një autoambulancë tjetër, ndërsa rreth orës 23:00, i lënduari, tani i ndjeri A.SH., ndërron jetë në QKUK, në Prishtinë.

Në rastin e parë, ndaj drejtuesit që shkaktoi vet-aksident në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndërsa rasti i dytë, në të cilin drejtuesi i autoambulancës shkaktoi vetaksident është duke u hetuar dhe është referuar në procedurë të rregullt.