Site icon Telegrafi

Aksident i rëndë në Veternik flasin nga Emergjenca e QKUK-së: Tetë persona janë duke u trajtuar

Tetë persona kanë kërkuar tretman mjekësor nga aksidenti i rëndë i cili ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në Veternik, mes një kamioni dhe 11 veturave.

Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili tha se gjendja e tyre është stabile.

“Tetë pacientë janë për momentin në emergjencë. Gjendja e tyre është stabile. Nuk kanë lëndime të rënda”, tha Syla.

Në lidhje me këtë aksident zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Telegrafin ka thënë se në këtë aksident lëndime trupore kanë marrë 11 persona dhe se kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete.

“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në Veternik ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime  trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version