Telegrafi

Aksident i rëndë në Gllarevë, humbin jetën dy persona

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në rrugën Pejë-Prishtinë në fshatin Gllarevë,ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Rugova ka treguar se në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete.

“Rreth orës 14:10 minuta në rrugën Pejë-Prishtinë në fshatin Gllarevë ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë tri automjete: një autobus dhe dy vetura.

Si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën dy persona, një femër dhe një mashkull. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se nga ky aksident kanë marrë lëndime dhe tre persona të tjerë, ku njëri për tyre ka marrë lëndime të rënda dhe i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku pastaj është transportuar për në QKUK.

“Dy personat e tjerë të lënduar janë duke u trajtuar nga mjekët dhe gjendja e tyre është stabile”, tha Rugova. /Telegrafi/