Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në orët e mëngjesit te Parku i Biznesit në Drenas, ku si pasojë një person ka vdekur.
Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për Telegrafin se ky aksident ka ndodhur në orët e mëngjesit.
“Rreth orës 07:40 në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, tek ‘Parku i Biznesit’ në Drenas është shkaktuar një vet aksident me pasoja fatale, me ç’rast një person ka humbur jetën. Vdekjen e kanë konstatuar ekipe mjekësore në vendin e ngjarjes. Në këtë rast tragjik është e përfshirë vetëm një veturë. Njësia për kontroll të autostradave është duke u marrë me rastin. Është njoftuar edhe prokurori, si dhe në vend ngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe ndihma e shpejt”, bëri të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës.
Policia edhe një herë apeloi tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes më të madh gjatë drejtimit të automjeteve, posaçërisht tani kur ka ndryshime të kushteve atmosferike, të reshura dhe zvogëlim të dukshmërisë në rrugë.
“Janë vet drejtuesit e automjeteve ata të cilët mund të kontribuojnë në reduktimin e aksidenteve, e në veçanti këtyre me fatalitet që po paraqesin një shqetësim të madh”, tha Hoxha.
Raportohet se vetura e ka humbur kontrollin dhe është përplasur për mbrojtëset anësore të rrugës. /Telegrafi/