Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në autostradë, në segmentin në Trudë të Prishtinës, me ç’rast një person, shqiptar i Maqedonisë ka humbur jetën dhe një tjetër ka marrë lëndime.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, aksidenti me fatalitet ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:50 në segmentin e autostradës në Trudë, kur janë ndeshur një automjet me tabela të huaja dhe një kamion transportues me tabela vendore.
“Si pasoj e aksidentit dhe lëndimeve të rënda të marra në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë pasagjeri i automjetit të udhëtareve, shtetas i Maqedonisë, kurse vozitësi gjithashtu shtetas i Maqedonisë, është dërguar në QKUK për tretman mjekësore”, thuhet në raportin e Policisë.
Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konfirmuar mjeku kujdestar.
Rastit ju kanë përgjigjur njësitet relevante Policore, njësiti i zjarrfikëseve dhe Prokurori i shtetit.
Me vendimin e Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML, kurse dy vozitësit e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes, njëri prej tyre nën mbikëqyrjen Policore në QKUK. /Telegrafi/