Dy femra kanë humbur jetën, kurse dy mashkuj janë lënduar rëndë në një aksident komunikacioni, që ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj.
Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, një automjet i tipit “Passat”, për shkaqe të panjohura ka humbur kontrollin dhe është vetaksidentuar.
“Lëndime të rënda kanë marrë katër persona, ngasësi dhe tre pasagjerë. Dy nga pasagjerët nuk kanë mundur të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe kanë ndërruar jetë. Në këtë aksident kanë humbur jetën dy femra, L.S. 23 vjeçare dhe K. H. 31 vjeçare, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërsa ngasësi i automjetit dhe një pasagjer tjetër janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se të aksidentuarit janë punëtorë të TEB Bankës, të cilët po ktheheshin nga një ndejë e fundvitit, e organizuar nga kjo kompani.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaktarët e aksidentit. /Telegrafi/