Si pasojë e një vetë-aksidenti në rrugën nacionale Prishtinë- Mitrovicë, në rrethrrotullimin afër fshatit Mazgit, një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.
“Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë ka ndodhur një aksident trafiku (Vetaksident) rrugor me fatalitet dhe lëndime të rënda ku është i përfshirë një automjet i tipit Shkoda Fabia, ngjyrë e hirit. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësorë, përderisa njëri prej të lënduarve sipas informatave nuk ka mundur të mbijetojë”, ka thënë Hoxha.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore të cilët po merren me rastin.
Në lidhje me rasti është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe i njëjti ka urdhëruar që rasti të dërgohet në procedurë të rregullt, derisa trupi i pajetë të dërgohet në mjekësinë ligjore për obduksion.
Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm sepse siguria e tyre dhe të tjerëve varet në masë të madhe nga kujdesi dhe respektimi i rregullave në trafik nga vet drejtuesit e automjeteve. /Telegrafi/