Telegrafi

Aksident në rrugën Fushë Krujë-Laç, një i vdekur dhe dy të plagosur

Foto: Ilustrim

Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë të regjistruar mbrëmjen e të shtunës në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç.

Ngjarja ka ndodhur në orën 22:40.

Shtetasi D. S., duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, është përplasur me mjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin A. S., 46-vjeç, banues në Pukë e më pas me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin B. M., i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shoferi i mjetit tip “Ford”, A. S., 46-vjeç dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve pasagjerët në mjet, shtetaset D. S., 64-vjeçe dhe P. S., 68-vjeçe, banuese në Pukë.

Policia rrugore ka arrestuar në flagrancë shtetasit D. S., 40-vjeç banues në Krujë dhe B. M., 52-vjeç, banues në Has.

Grupi hetimor po heton për të për të përcaktuar rrethanat e aksidentit dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme. /Ora News/