Një person ka humbur jetën në aksidentin e rëndë në komunikacion, i cili ka ndodhur sonte në mes të një autobusi me targa të Berovës dhe një veture “Opel Astra” me targa të Probishtipit në autostradën Shtip-Koçan, në afërsi të kryqëzimit e vendbanimit “Tri Çeshmi”.
Sipas informacioneve fillestare nga zëdhënësja e SPB-Shtip, Gordana Panajotova, aksidenti ka ndodhur në ora 19:45. Mjekët e Emergjencave kanë konstatuar se udhëtari i veturës ka ndërruar jetë në vend, ndërsa shoferi me lëndime është dërguar në Spitalin klinik të Shtipit.
Drejtori i Spitalit Klinik-Shtip, Alen Gjeorgjiev, konfirmon për AIM-në se një person nga aksidenti i komunikacionit tashmë është duke u ekzaminuar nga ana e tyre, me qëllim të konstatimit të lëndimeve dhe trajtimit të duhur mjekësor. Në autobus nuk ka udhëtarë të lënduar.
Hetimet nga policia dhe prokuroria publike janë duke vazhduar. Për momentin është e mbyllur për qarkullim autostrada Shtip-Koçan në kryqëzimin në “Tri Çeshmi”./Telegrafi/