Site icon Telegrafi

Aksident në Kukës, kamioni me targa të Kosovës i ngarkuar me hekur del nga rruga, bllokohet qarkullimi

Një kamion ka dalë nga rruga në hyrje të Kukësit gjatë natës. Për pasojë, është bllokuar qarkullimi i automjeteve. Kamioni me targa të Kosovës po transportonte shufra hekuri, kjo ka shkaktuar edhe kolona të gjata në të dyja anët e rrugës.

Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të marte, është bërë e mundur edhe zhvendosja e kamionit dhe rivendosja e qarkullimit të lirë të mjeteve. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të hënës, por vetëm sot rreth orës 7 të mëngjesit u bë e mundur zhvendosja e tij dhe rivendosja e qarkullimit të lirë të mjeteve, raporton A2 CNN.

Për zhvendosjen e tij në fillim është dashur zbarkimi i sasisë së hekurit në një kamion tjetër, proces që ka sjellë edhe bllokimin e rrugës për pak kohë, duke krijuar kolona të gjata në dy anët e rrugës.

Ky aks është i vetmi në të cilin është devijuar i gjithë trafiku i mjeteve që udhëtojnë nga Kosova drejt Shqipërisë dhe anasjelltas, pas bllokimit të segmentit 3 km në Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit, si shkak i punimeve për zhvendosjen e Urës se Re mbi Drin.

Policisë rrugore i është dashur disa herë të ndërpresë edhe procesin e zbarkimit të kamionit për të çliruar trafikun dhe kolonat e krijuara. /Telegrafi/

Exit mobile version