Një 21 vjeçar me inicialet A.Q ka humbur jetën mbrëmë pas mesnate, si pasojë e një vetëaksidenti. I riu nga Peja është vetëaksidentuar në rrugën Prishtinë-Pejë, afër Llapushnikut.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.
“Me datën 02.03.2018, rreth orës 02:40, një vetëaksident trafiku është shkaktuar në rrugën Prishtinë-Pejë, afër Llapushnikut. E përfshirë ka qenë një veturë Golf 19 E ngjyrë e hiri me targa vendore.
Drejtuesi i veturës (viti i lindjes. 1996-Rajoni Pejë) është dërguar me autoambulant në QKUK, ku si pasojë e lëndimeve raportohet se i njëjti ka ndërruar jetë. Ne vendngjarje kanë dalë njësitet relevante policore për të kryer procedurat e vendshiqimit”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se ndryshimet atmosferike, mjegullat, temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë krijuar rrethana të vështirësuara për qarkullim nëpër shumë rrugë të vendit.
“Policia e Kosovës me njësitet e saj po përpiqet me përkushtim në gjithë vendin për menaxhimin e trafikut rrugor dhe duke u angazhuar në mënyrë aktive në funksion të një sigurie më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë dhe përsëri apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, të kenë pajisje dimërore për një siguri më të madhe gjatë qarkullimit në këto rrethana, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/