Një nga gratë më të pasura të Rusisë, bashkëpronare e “Grupit S7”, Natalia Fileva, vdiq të dielën në një aksident avioni në Gjermani.
“Fileva, 55 vjeç, ishte në bordin e një avioni “Epic LT”, me një motor, me gjashtë vende, i cili u rrëzua dhe u dogj në një fushë pasi iu afrua aeroportit të vogël në Egelsbach, një qytet në jugperëndim të Gjermanisë”, tha kompania ajrore në një e-mail.
Policia gjermane tha se kishte tre persona në aeroplan, përfshirë pilotin e fluturimit, i cili ishte me origjinë Franceze.
Fillimisht u tha se dy pasagjerët besohej se ishin qytetarë rusë, por identifikimi i tyre zgjati për shkak të hetimeve.
Autoritetet gjermane të aviacionit po shqyrtojnë shkakun e rrëzimit të avionit, përcjell tch.
Egelsbach është rreth 10 kilometra në jug të Frankfurtit. “Forbes.ru”, e vlerësoi pasurinë e Filevës në 600 milionë dollarë.
Ekipi i “Grupit S7” shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të përzemërta për familjen dhe të dashurit e zonjës Fileva”, tha kompania në një deklaratë.
“Kujtimi i saj si një udhëheqëse frymëzuese dhe simpatike; një person i mrekullueshëm do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat e të gjithë punonjësve të ‘Grupit S7’. Është një humbje e pariparueshme”, thuhet në deklaratën ngushëlluese.
Me një bazë në Aeroportin Domodedovo të Moskës, “S7” është pjesë e Aleancës Oneworld dhe fluturon në 150 destinacione në 35 vende të ndryshme të botës.