Site icon Telegrafi

AKS synon të miratojë 2000 standarde në vit

Agjencia Kosovare e Standardeve (AKS), ka arritur të miratojë 1500 standarde në vit, e synohet që ky numër të rritet në 2 mijë standarde për vit. Kështu u tha sot në Ditën Botërore të Standardeve në një takim të realizuar nga AKS me rastin e përvjetorit të themelimit të ISO-s.

Në këtë takim u tha se gjatë këtyre dhjetë viteve AKS është përpjekur që të krijojë sistemin e standardizimit mbi baza të shëndosha, duke reflektuar procedurat e komitetit evropian të standardeve. Megjithatë përmenden edhe sfidat në të cilat po kalohet.

Hafiz Gara, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Standardeve, përmendi dy prej sfidave me të cilat po ballafaqohen. “Të obliguarit e implementimit të standardit vullnetar dhe mosantarësimi i AKS-së në organizmat homolog, evropiane dhe ndërkombëtar, e para po t’i kalohet nga dita në ditë, ngaqë bizneset përherë e më shumë po avancojnë vetën në drejtim të tregut të lirë, kurse e dyta shpresojmë të tejkalohet me vullnetin politik, të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë ai.

Gara tha, se standardet vullnetare janë të tilla që të mos e ngulfatin biznesin dhe japin mundësinë e përzgjedhjes së bizneseve në rritje që të jenë të lira. Sipas tij, standardet janë mjeti më i fuqishëm dhe më i sigurt për pushtimin e tregjeve.

Në këtë takim u tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të së cilës edhe funksionon kjo agjenci, i ka kushtuar vëmendje të madhe standardizimit.

U. D i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha se është arritur harmonizim i kënaqshëm i ligjeve të vendit me ato të Bashkësisë Evropiane si dhe është plotësuar baza nënligjore për implementimin e tyre.

“Ministria Tregtisë dhe Industrisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë standardizimit, akreditimit, metodologjisë, mbrojtjes së konsumatorit dhe mbikëqyrjes së tregut duke i avancuar këto struktura në nivele më të larta më qëllim që të përmbushin detyrat që dalin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit…. Jam i vetëdijshëm që infrastruktura e cilësisë është një fushë komplekse e cila nuk mund të arrijë nivelin evropian për një afat të shkurtër, por mbështetja politike nga ministria jonë nuk do të mungojë që standardizimi dhe veprimtaria përcjellëse dhe implementuese si metodologjia, të zhvillohen me ritëm edhe më të shpejtë”, ka thënë ai.

Ai theksoi, se Agjencia Kosovare e Standardeve ka miratuar tashmë mbi 7 mijë standarde evropiane si standarde kosovare, duke respektuar normat e standardizimit të diktuara nga komiteti evropian i standardeve.

Kastrati gjithashtu bëri të ditur se në muajin e fundit brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka filluar projekti për qarkullimin e lirë të mallrave nga i cili besojnë që do të përfitojnë të gjitha agjencitë dhe departamentet e infrastrukturës së cilësisë.

Mesazhi i këtij manifestimi është që standardet vendosin rregulla të njëjta për të gjithë. E që përmes kësaj kuptohet se standardet mundësojnë konkurrencë të ndershme dhe të barabartë për të gjitha bizneset. /Telegrafi/

Exit mobile version