Telegrafi

Akreditohen edhe 6.548 vëzhgues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar edhe 6 mijë e 548 vëzhgues të tjerë për zgjedhjet lokale, por gjithashtu është ngritur edhe si shqetësim çështja e vonesave dhe mos pagesës së komisionerëve.

Në mbledhjen e radhës anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi përmendi edhe problemin e personave që janë  kategoritë sociale, dhe veteranët, dhe të cilëve mund t’iu ndalet paga mujore për shkak se janë të angazhuar në zgjedhje.

Sipas tij, janë mbi 22 mijë persona që i ndalet pagesa për shkak të angazhimit në zgjedhje.

“Mos t’i penalizojmë këta njerëz që po kontribuojnë për proces zgjedhor. E dyta ne kemi probleme me pagesat e komisionerëve, e di që keni marrë disa masa por kushtoni rëndësi më të madhe të mos përsëritet”, tha ai.

Për mos pagesën e komisionerëve foli edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Adnan Rrustemi.

Për shqetësimet rreth pagesave ka folur edhe kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi.

“Jemi ballafaquar me atë se llogarit që nuk kanë qenë aktive dhe përveç kësaj një problem është se disa banka nuk po hapin llogari për personat që nuk janë në listë të pagave“, tha ai.

Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti i ka kërkuar kryeshefit që pagesat për këto zgjedhje dhe ato të balotazhit të bëhen brenda këtij viti, pasi nëse kjo nuk ndodhë, paratë merren nga Qeveria si suficit, gjë që do të kishte problem për pagesa në vitin e ardhshëm për shkak se nuk ka zgjedhje.

Në këtë mbledhje po ashtu u bë zëvendësimi i anëtarit të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Rahim Ajetin me Besart Hajredinaj.

Deri më tani numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit është: 31 mijë e 665 vëzhgues.