Telegrafi

AKR synon 70 mijë punësime në bujqësi

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se për katër vjet parashohin të krijojnë 70 mijë vende pune në këtë sektor. Sipas tij, bujqësia kosovare gjithmonë ka qenë shtyllë dominuese e zhvillimit ekonomik, prandaj AKR-ja dhe partnerët e koalicionit, synojnë ta zhvillojnë këtë sferë.

“Qëllimi i zhvillimit të shtyllës së bujqësisë përmes funksionalizimit të aseteve bujqësore, krijimi i 70 mijë vendeve të punës në katër vitet e para të qeverisjes, stimulimi i konsumit të produkteve vendore, standardizimi i produkteve dhe rritja e eksportit”, është synim i AKR-së, tha Pacolli.

Duke folur gjerësisht për këtë sektor, ai theksoi se do të krijojnë tri shkolla profesionale bujqësore, pastaj do të krijojnë një bankë investive me pjesëmarrje të qeverisë deri në 25 për qind të aksioneve, që do të kreditojë këtë sektor me kamata të ulëta.

Profesori i bujqësisë, Xhavit Bytyqi, nga Partia e Drejtësisë, tha se buxheti që ndahet për fushën e bujqësisë duhet të jetë më i madh, pasi kjo sferë ka mbetur tejet e pazhvilluar. /Telegrafi/