Telegrafi

AKP vendos ta falimentoj “Llamkos”, punëtorët protestojnë

Punëtoret e fabrikës së llamarinës “Llamkos Galva Steel” në Vushtrri, sot kanë protestuar para komunës së Vushtrrisë, për shkak të siç thanë, vendimit të AKP-së për falimentimit e fabrikës.

Dhjetëra punëtorë të kësaj fabrike janë mbledhur rreth orës 14:00, të cilët shprehën pakënaqësinë e tyre me vendimin që thanë se e ka marrë AKP-ja, për shkak se tash mund të mbesin në rrugë, pasi që kushdo që e blenë fabrikën, nuk do të ketë obligim punësimin e tyre. Punëtorët treguan se do të protestojnë të mërkurën para Qeverisë së Kosovës, ku do të kërkojnë që të mos ndodhë falimentimi i fabrikës, raporton Veriu.info.

Ata u takuan para në hyrje të komunës me kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku, nga i cili kërkuan që ta ushtrojë autoritetin e vet në nivelin qendror për ta penguar procesin e falimentimit. Mirëpo, kërkuan edhe lirimin nga komuna të disa obligimeve të taksave dhe tatimeve.

Kryetari Mulaku tha se, sikur edhe më herët, ua ofrojë të gjithë mbështetjen e tij, mirëpo bëri të ditur se komuna nuk ka kompetenca përkitazi me këtë çështje. Mulaku priti në takim përfaqësuesit e punëtorëve të cilët protestuan para komunës.

Veriu.info ka kontaktuar me zëdhënësin e AKP-së, Ylli Kaloshi, për të marrë një përgjigje në lidhje me falimentimin e fabrikës, por ai ka thënë se do të përgjigjet pas disa minutash me arsyetimin se nuk ka informata, por më pas nuk e ka hapur më telefonin.

Ndryshe, Rreth 430 punëtorë të kësaj fabrike nuk kanë marrë paga që nga marsi i vitit 2014 derisa nga 4 qershori janë njoftuar nga pronari i kompanisë se do të pushojnë tërësisht nga puna pasi që fabrika është mbyllur. /Telegrafi/