Telegrafi

AKP shpalli rezultatet e valës së 46 të privatizimit

Zyrtar të AKP-së treguan se nga 62 oferta vlera e tërësishme e tyre ishte 6 milionë e 437 mijë e109 euro. Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri njoftoi se deri më tani janë privatizuar 613 ndërmarrje të reja, prej të cilave 588 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt, ndërsa 25 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special.

“Nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore deri më tani janë grumbulluar 472 milionë €uro, ndërkaq nga procesi i likuidimit me shitje të aseteve të ndërmarrjeve janë grumbulluar rreth 30 milionë euro”, theksoi zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Tahiri.

Sipas saj AKP është duke punuar që të përfundoj të gjitha shitjet, në pritje të vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së. Për sa i përket shpërndarjes së 20 përqindëshit.

Tahiri tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20 përqindëshit të të hyrave për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, bazuar në strategjinë për përshpejtimin e ndarjes së 20 përqindëshit, të miratuar më parë nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKP-së. “Deri më tani nga fondi i privatizimit, punëtorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore iu janë shpërndarë rreth 30 milionë euro”, theksoi Mrika Tahiri. /Telegrafi/