Telegrafi

AKP-së i teprojnë 60 milionë euro

Moskompletimi i Bordit të AKP-së ka bllokuar pothuajse plotësisht punën e këtij institucioni.Vlerësohet se janë rreth 59 milionë euro mjete tepricë nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore që nuk po mund të barten në buxhetin e Kosovës, për shkak të mungesës së Bordit të AKP-së.

Yll Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka thënë për “Zërin”, se këto para janë të gatshme që të kalojnë në buxhetin e Kosovës, mirëpo, sipas tij, vendimi për bartjen e mjeteve në buxhet duhet të merret prej anëtarëve të Bordit të Drejtorëve.

“Janë rreth 59 milionë euro që janë mbledhur nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore. Por këto mjete edhe pse janë të gatshme që të barten në buxhetin e Kosovë, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi që sipas ligjit duhet të merret vendimi nga ana e Bordit të Drejtorëve. Por pas formimit të Bordit pritet që në mbledhjet e para të merret vendimi për bartjen e këtyre mjeteve në buxhetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Nga kjo bllokadë në AKP ka ngecje në shpalljen e valëve të privatizimit, me shitjet e aseteve përmes likuidimit, vonesa në ndarjen e 20-përqindëshit, etj.

Kuvendi i Kosovës, që sipas ligjit emëron anëtarët e Bordit të kësaj Agjencie, ende nuk e ka vënë në rend të ditës këtë çështje.
Ndërkohë që ekspertë të ekonomisë kanë thënë se këto vonesa do të jenë humbje e madhe për ekonominë e vendit. Sipas tyre, deri më tani procesi i privatizimit në vend nuk ka dhënë rezultatet e duhura.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë se është papërgjegjësi e Qeverisë së Kosovës moskompletimi i Bordit të AKP-së. /Telegrafi/