Qeveria e Kosovës kishte marr vendim në nëntorin e vitit të kaluar që të ndalohet privatizimi i tokave bujqësore në Kosovë, nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të paktën për një vit. Por në korrik, AKP vendosi që sërish të privatizojë toka bujqësore. Në Qeveri nuk janë në dije për këtë e nga AKP-ja nuk kthejnë përgjigje. Ekspertët vlerësojnë se Qeveria duhet të ruajë tokat bujqësore.
Në fillim të muajit nëntor të vitit 2017, Qeveria e re e Ramush Haradinajt kishte marr vendim që Agjencia Kosovare e Privatizimit për periudhën njëvjeçare të pezullojë procesion e privatizimit të pasurive të paluajtshme (tokave) që janë në menaxhimin e saj.
Sapo kanë kaluar 9 muaj, AKP ka vendosur në privatizim toka bujqësore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj që kishe quar para këtë vendim, pati deklaruar se gjatë kësaj periudhe të pezullimit, do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve.
Por, AKP këto verifikime si duket i ka përfunduar herët, ngase Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt me datën 25 korrik 2018 me ç’rast shqyrtoi dhe miratoi listën e valës së shitjes së aseteve me Likuidim 41, valë kjo që përfshin 44 asete atraktive në Kosovë, që sipas tyre, paraqesin një mundësi të shkëlqyer për investitorët potencialë që kanë interesim për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në Kosovë.
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, lidhur me këtë veprim të AKP-së shprehet i bindur se ky Agjencion respekton vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, Qeveria ka marr një varg vendimesh që janë në vijë me interesin publik, dhe nëse AKP nuk e respekton vendimin e Qeverisë për pezullimin e privatizimit së tokave bujqësore do krijohen situata problematike në këtë proces.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr një sërë vendimesh që lidhen drejtpërdrejtë me komuna, vendime këto që janë në funksion të drejtpërdrejtë të të mirës qytetare, të mirës së komunës dhe të mirës së zhvillimit ekonomik lokal, nuk i kemi shikuar se për çfarë privatizimesh po flasim, por ajo që mund të them është se këto janë vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës të miratuara dhe të mirëpritura nga komunat dhe jam i bindur se këto janë plotësisht në vijë me interesin publik, andaj unë jam i bindur që edhe AKP-ja e dinë këtë dhe nuk do të kyçet në këtë çështje për shkak se do të pengoj jo vetëm privatizimin, por do të krijojmë situata të cilat do të jenë shumë problematike në raport edhe me menaxhimin e procesit, por edhe në raport me mendimet e Qeverisë… Unë jam i bindur që vendimet e Qeverisë zbatohen“ , thotë Tahiri.
KosovaPress për disa ditë me radhë ka tentua të marr një përgjigje nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për të marr informacione se në bazë të cilit vendim e kanë shpallur valën e re të shitjeve, por që këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Në bazë të shpalljes që AKP e ka bërë publike në ueb faqen e saj thuhet se subjektet/njësitë e përcaktuara për shitje janë nën juridiksionin e AKP-së në pajtim me Ligjin nr 04/L-034 mbi Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Afati për dorëzimin dhe hapjen e ofertave sipas njoftimit të AKP-së është deri më 3 tetor 2018.
Por, ekspert të çështjeve ekonomike kërkojnë nga institucionet e vendit të ndërmarrin masat e duhura për mbrojtjen e tokave bujqësore.
Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, e ka shprehur nevojën për një mekanizëm konsolidues në mes të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe Qeverisë së Kosovës, pasi siç thotë ai, kjo pak tokë që ka mbetur në Kosovë duhet të ruhet për kapital.
“Mendoj që një shtet normal duhet të ketë një mekanizëm rregullues që Qeveria duhet të koordinoj me akte normative, me rregullore të veçanta, udhëzime administrative. Kosova ka ligj për ruajtjen dhe shfrytëzimin dhe menaxhimin e tokave bujqësore, ligji i cili është ekzistues është prej ligjeve më të mira….Ligji ekzistues sanksionon madje ai shkon edhe më larg që klasën e parë, dytë dhe tretë kualitative të tokës bujqësore nuk i mundëson as ndërrim të destinacionit që është bërë edhe po bëhet në Kosovë, kjo është dukuri e mbrapshtë që njëherë e përgjithmonë duhet të vëmë shkallën e përgjegjësisë ndaj personave që janë keqpërdorues të këtij aseti nacional”, deklaron Rusinovci.
Sipas tij, me tokën bujqësore në Kosovës si një resurs nacional, janë bërë deri tani keqpërdorime të shumta, prandajm vlerëson se është më se e nevojshme që si shoqëri të jemi më të kujdesshëm për ruajtjen e saj.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2002 e deri në vitin 2014, gjatë procesit të privatizimit janë shitur rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore e kategorive të ndryshme.
Nga kjo sipërfaqe, rreth 15 mijë hektarë janë privatizuar nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ndërsa nga ana e AKP-së janë privatizuar mbi 13 mijë hektarë./kp/Telegrafi/