Site icon Telegrafi

AKP ndanë mbi 717 mijë euro për 380 punëtorë

Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve të saj, do të bëje ekzekutimin e vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shpërndarje të fondeve të tjera nga pjesa e 20 përqindëshit të dedikuara për punëtorët e Ndërmarrjeve Shoqërore.

Pas lëshimit të vendimit të plotfuqishëm nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e punëtorëve të këtyre NSh-ve, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm edhe për 7 ndërmarrje shoqërore. Shuma e fondeve që do të shpërndahen kësaj radhe është 717,459 euro, kurse nga kjo shpërndarje do të përfitojnë një numër prej 380 punëtorëve.

Sipas procedurave te legjislacionit në fuqi, transferi i këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores nr. 2003/13 (me ndryshime).

Deri më tani Agjencia ka shpërndarë rreth 104 milionë Euro për më shumë se 43 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të NSh-ve. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm edhe të 3 NSh-ve tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen me kohë. /Telegrafi/

Exit mobile version