Telegrafi

AKP: 400 milionë euro nga privatizimi i ndërmarrjeve kthehen në Kosovë

“Është një vendim shumë i rëndësishëm dhe një veprim i Bordit të AKP-së që të sigurojë ruajtjen e mjeteve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore duke i kthyer në Kosovë, në këtë kohë kur ka një krize globale financiare”, tha Dino Asanaj, kryetar i Bordit të Drejtorëve.

Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve të AKP-së rikonfirmoi vendimin e Bordit të ish AKM-së për ushtrimin e kthimit të aksioneve mbrapa nga Ndërmarrja e Re Llamkos Sh.P.K., dhe kërkoi nga menaxhmenti i Agjencisë që të fillojë procedurat për ekzekutimin e këtij vendimi.

Ndër të tjera, Bordi i Drejtorëve të AKP-së, diskutoi edhe për Ndërmarrjet e privatizuara me Spin-off Special dhe kërkoi nga menaxhmenti që të bëjë auditim të të gjitha ndërmarrjet e privatizuara me këtë metodë, në lidhje me raportimet e tyre për investime dhe punësim. Për më tepër, Bordi kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të raportohet dhe të sugjerohen veprime konkrete në lidhje me ndërmarrjet te të cilat afati për përmbushje të investimeve ka kaluar.

Bordi i dha menaxhmentit të AKP-së dritën e gjelbër për fillimin e formimit të 120 komiteteve të likuidimit, me ç’rast rifillon procesi i likuidimit që në vetvete nënkupton hapin e fundit në përmbylljen e procesi të privatizimit.

Në këtë mbledhje morën pjesë për të parën herë edhe dy anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve, Mohammed Omran, si dhe Hubert Warsmann, në cilësinë e përfaqësuesve të Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Mbledhja e ardhshme e Bordit të Drejtorëve të AKP-së do të mbahet në shkurt, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar sot nga Zyra për informim pranë AKP-së. /Telegrafi/