Site icon Telegrafi

Akoma asnjë informacion në lidhje me hetimin në Komunën e Gostivarit (Video)

Prokuroria themelore publike vazhdon të hetojë punën e komunës së Gostivarit, por ende nuk japin hollësi se për çfarë bëhet fjalë apo për çfarë dyshimesh ka pasur denoncim që u dërgua policia financiare në komunën me të cilën udhëheq Nevzat Bejta. “Ende ndërmerren aktivitete lidhur me rastin e komunës së Gostivarit, por për momentin nuk mund të japim hollësi për opinionin”, u përgjigjën shkurt nga Prokuroria për televizionin Alsat-M.

Hetimin nuk dëshiron ta komentojë as kryetari i Gostivarit. Ai thotë se qëndron pas deklaratës së dhënë, por prej atëherë në komunë nuk ka pasur vizitë të policisë financiare. Gjatë javës që lamë pas policia financiare hyri në kabinetin e Nevzat Bejtës, me arsyetim se kontrollet janë me urdhër të Prokurorisë për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kontrolli i policisë financiare jozyrtarisht mësohet se është bërë për shkak të projektit për asfaltimin e rrugës në fshatin Tumçevishtë, i cili përfundoi para dy vitesh, ndërsa ka kushtuar 80 mijë euro. Kryetari i Gostivarit pohonte se gjatë kontrolleve të para nuk janë vërejtur shkelje, as gjatë prokurimeve publike, e as gjatë realizimit të projektit.

Bejta akuzoi se policia financiare e ka vizituar pas deklaratës së tij se; Nuk ka shqiptar që dëshiron koalicion me Gruevskin. Por OBRM-PDUKM i hodhi poshtë këto pretendime të Bejtës./Telegrafi/

Exit mobile version