Telegrafi

AKM: Serbia s’mund ta shesë Brezovicën, por Kosova dhe AKM

”Sipas (rezolutës) 1244, do të ishte ilegale për Serbinë të përpiqet ta shesë Brezovicën e cila gjendet në territorin e Kosovës. Kur do të shitet Brezovica nuk e di, por e di se kjo është punë e Kosovës dhe e AKM-së”, ka thënë, drejtori menaxhues i AKM-së, Jasper Dick, në konferencën e sotme për media.

Ndërkohë, duke folur për zgjedhjen e drejtorit të ri menaxhues të Postë-Telekomit të Kosovës, Jasper Dick, ka thënë se nuk ka kthim prapa në procesin e kosovarizimit të ndërmarrjeve publike dhe, në vend të drejtorit në dorëheqje, Etrur Rrustemaj, do të zgjidhet sërish një kosovar.

“Pra, nuk do të bëjmë kurrsesi kthim prapa- ashtu siç kanë raportuar disa prej mediave, dhe as që ka qenë kjo temë bisedë në forume, qoftë në PTK ose në AKM. Krahas shpalljes së konkursit për drejtor të përgjithshëm, bordi ka vendosur të shpallë edhe pozitën e drejtorit të operimeve, pozitë kjo e krijuar në vitin e kaluar. Kjo pozitë ishte mbajtur nga një ndërkombëtar deri tash dhe përpjekjet janë që edhe për këtë pozitë të zgjidhet një drejtor vendor”, ka thënë Dick.