Telegrafi

AKK e cilësoi emërimin e drejtorit të Baletit si “konflikt interesi”, nuk ndodhi njëjtë me drejtorin Zharku

Drejtori i zgjedhur i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit.

Kajtazi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se arsyeja e dorëheqjes së tij ka ardhur si pasojë e opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku kjo agjenci i ka kumtuar informatën se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019, Kajtazi ka qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk ka të drejtë të marrë këtë post

Lexo po ashtu Kajtazi jep dorëheqje nga posti i drejtorit të BKK-së

“Të nderuar miq,
Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e Drejtorit të BKK, nga kjo agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 kam qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk kam të drejtë të marrë këtë post.
Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga U.D i Drejtorit të BKK dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.
Vullneti dhe dëshira ime ka qenë që të jap kontributin tim në të mirë të Institucionit të BKK, duke gëzuar mbështetjen e të gjithë balerinëve të BKK dhe stafit tekniko-artistik në TKK, po ashtu edhe komunitetit të artistëve, mirëpo duke respektuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, më duhet të refuzoj nderin që më është bërë me emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.
Unë do të vazhdoj të mos kursej më të mirën nga vetja si balerin, në shërbim të BKK.
Me respekt”, ka shkruar në Facebook Kajtazi.

Mirëpo i njëjti rast ishte edhe në vitin 2014, kur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ishte zgjedhur Arben Zharku pas dorëheqjes nga pozita e kryesuesit të Këshillit Drejtues të këtij institucioni.

Por opinioni i tillë i AKK-së nuk ka vlejtur edhe në këtë rast, pasi që ky institucion kishte thënë se nuk ka konflikt interesi.
Asokohe AKK-ja kishte thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.

Opinioni që gjendet në faqen e Agjencionit Kundër Korrupsionit, e thotë qartë se ky rast nuk përbën konflikt interesi./Telegrafi/