Telegrafi

AKILI, PENTHESILEA

Nga: Zbigniew Herbert
Përktheu: Rajmonda Çollaku

Kur Akili tejshpoi me kamën e vet gjirin e Penthesilesë dhe si gjithnjë e solli tehun tri herë në plagë, vuri re se mbretereshë e Amazonave ish e bukur.

E shtriu mbi rërë me kujdes, i hoqi helmetën e rëndë, flokët ia lëshoi, dhe butësisht duart ia mblodhi përmbi gjoks. Kurajë s`pati ama t`ia mbyllte sytë.

I hodhi një vështrim të fundit, vështrim lamtumire, dhe si ta kish pushtuar një fuqi e huaj, vajtoi siç nuk patën vajtuar ndonjëherë as ai e as te tjerë kreshnikë të asaj lufte të madhe, me zë të ulët e të përhumbur, një zë të vrarë e të paqëllimtë që mbytej në pendesë e pikëllim, me një ritëm të panjohur për birin e Tetidës.

Kumbet e zgjatura të vajit tek pikonin si fletë rreth qafës, rreth sisëve, gjunjëve të Penthesilesë, e mbështillnin gjithë kurmin e saj të kallkanosur.

Ajo po gatitej për Gjuetitë e Përjetshme në pyjet e pamatë.

Me sytë ende të çelur vështroi nga larg fitimtarin, me një urrejtje të kaltër e të paepur.