Xhudisti kosovar, Akil Gjakova i ka sjell një tjetër medalje evropiane shtetit të Kosovës.
Xhudisti ynë mjaftohet vetëm me medaljen e argjendtë, pasi ishte i pafat në duelin final me rusin Saian Ondar.
Gjakova humbi në finalen e kategorisë nën 73 kg, të Kampionatit Evropian U-23, i cili po mbahet në Podgoricë.
Deri tek medalja e argjendtë, Akili arriti pas fitoreve ndaj Lukas Vennegold të Gjermanisë, Telman Valiyev të Azerbajxhanit dhe në gjysmëfinale mundi moldavin, Cornel Andries.
Një ditë më parë, medaljen e artë e fitoi edhe xhudistja e njohur Distria Krasniqi, në kategorinë nën 52 kg.
Ndërkohë, xhudistet tjera, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu pësuan humbje duke u eliminuar.
Xhudistja Kuka në kategorinë 70 kilogramë u mposht nga holandezja, Hilde Jager, për shkak të tri vërejtjeve të marra nga gjyqtarët.
Komiteti Olimpik i Kosovës i ka përgëzuar suksesin tjetër madhështor të xhudos, duke iu uruar suksese në rrugën drejt fitimit të normës olimpike Tokyo 2020. /Telegrafi/