Ky vendim ishte mjaft dëshpërues për Akilin, ndërsa trajneri Driton Kuka, këtë e konsideron një katastrofë.
Ambasada amerikane në Shkup nuk e pajisi me vizë xhudistin pejan, i cili do të jetë i detyruar ta shikojë përmes televizorit evenimentin ku priste të shkëlqejë.
“Njëjtë si në Evropian, ashtu edhe në Botëror synoj të jem i suksesshëm. Në Miami synoj ta fitoj ndonjë medalje”, thoshte Gjakova pasi u shpall kampion evropian, raporton Express.
Por, ai nuk e dinte se do t’i mohohej kjo e drejtë elementare, e cila nuk i ndodh pothuajse asnjë sportisti të botës. Natyrisht, atë e ka dëshpëruar tej mase ky vendim.
“Të refuzohet një kampion evropian, i vetmi për meshkuj në sportin e Kosovës, kjo për mua si trajner është një katastrofë. Kjo është shumë dëshpëruese edhe për Akilin. Ai ka qenë bartës dhe favorit si kampion aktual evropian për kadetë”, tha për Express trajneri i Akilit, Driton Kuka.
Këtë të fundit e brengos edhe më shumë fakti se ky Botëror është edhe kualifikues për Lojëra Olimpikë të të rinjve, që do të mbahet në vitin 2014 në Kinë, e ku Akili kishte mundësi të grumbullonte pikë olimpike. Botërori për kadetë do të mbahet në Miami të SHBA-ve, nga 8 deri më 11 gusht.
Edhe 14 vjet pas luftës, përkatësisht 5 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, sportistët kosovarë vazhdojnë të përballen me një problem, i cili në vendet tjera as që diskutohet.
Shpresojmë që në të ardhmen edhe ata ta shijojnë lëvizjen e lirë, sikur kolegët e tyre nga vendet tjera të botës. /Telegrafi/