Akil Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Abu Dabit.
Xhudisti ynë ia doli të fitonte këtë medalje pas një rrugëtimi aspak të lehtë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Ai ditën e nisi me fitore ndaj Andrew Munning të Bahameve. Ndaj tij fitoi me Ippon, njëjtë si ndaj finlandezit Valtteri Olin në raundin e dytë.
Në xhiron e tretë përballë e kishte Zhansay Smagulovin e Kazakistanit. Lufta ishte e fortë, por Akili vazhdimisht ishte në avantazh. E dominoi luftën të cilën në fund e fitoi falë dënimit të tretë për Smagulovin. Në çerekfinale, Akil Gjakova u takua me amerikanin Jack Yonezuka.
Ai dominoi plotësisht ndaj amerikanit Jack Yonezuka, duke triumfuar me Ippon.
Në gjysmëfinale të kategorisë deri 73 kilogramë e mposhti xhudistin nga Kazakistani, Daniyar Shamshayev. Ndaj tij fitoi me lëvizje mjeshtërore në dysheme.
Në finale, Gjakova u përball me uzbekistanezin, Shakhram Ahadov, por që nuk ia doli të triumfonte, duke rrëmbyer medaljen e argjendtë. /Telegrafi/