Telegrafi

AKB vazhdon të mbështes bizneset e regjionit të Prizrenit

Zyra e Aleancës Kosovare të Bizneseve për regjionin e Prizrenit, sot mbajtitakimin e vet të rregullt, ku u tha se udhëzimi administrativ i cili është duke u implementuar nga Doganat e Kosovës në biznese po shkakton brishtësi të stabilitetit ekonomik në vend, pasiguri të zhvillimit ekonomik, konkurrencë jolojale te bizneseve dhe humbje të tregut .

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, prezantoi shkurtimisht ndryshimet që priten në draftligjin për TVSH si dhe efektet financiare në buxhetin e Kosovës. “Nga ulja e normës nga 16 në 8 për qindpër disa mallra e shërbime, buxheti humb 30 milion, ndërsa nga rritja prej 16 në 18 për qind buxheti i Kosovës përfiton 66.4 milionë euro. Pra, shikuar në tersi buxheti i Kosovës del fitues për 36.4 milionë për këtë dalin humbës qytetarët e Kosovës”, kas thënë ai.

Kryetari AKB-së njoftoi bizneset e regjionit të Prizrenit se me kohë i kanë dorëzuar propozimet dhe rekomandimet por ato nuk u morën parasysh nga Qeveria.

“Ne edhe më tutje do të angazhohemi që drejtpërsëdrejti përmes deputeteve të Kuvendit të realizojmë këto kërkesa të komunitetit të biznesit”, ka thënë ai.

Shahini tha se AKB do të përmbush kërkesat e biznesit për takime më të shpeshta në mënyrë që të gjitha kërkesat t’i adreson me kohë dhe në përmbajtje në institucionet përkatëse.

Sipas një komunikate të AKB-së, gjatë takimit të sotëm u ngritën shqetësimet për mosnjohjen e Udhëzimit Administrativ 014/2014, nga Doganat e Kosovës për kostot e transportit të mallit. “Jemi këtu sot që të debatojmë rreth këtij Udhëzimi administrativ i cili ashtu si është duke u implementuar në praktikë nga Doganat e Kosovës në biznese po shkakton brishtësi të stabilitetit ekonomik në vend, pasiguri të zhvillimit ekonomik, konkurrencë jolojale te bizneseve,humbje të tregut dhe degradim të imazhit të Doganave në vend”, tha Veli Ahmeti, anëtar i Kryesisë së AKB-së për Prizren.

Nënkryetar i AKB-së, Burim Piraj, ka përgatitur javën e kaluar një shkresë lidhur me këtë shqetësim të bizneseve në nivel të bizneseve të Kosovës që ia kanë drejtuar Qeverisë. “Kemi kërkesa nga biznesi që t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Bizneset e regjinat të Prizrenit ngritën shqetësim të madh edhe për mospranimin e faktuarve origjinale për mallra dhe shërbime. Po ashtu, u diskutua edhe për vështirësitë që po hasin bizneset me rastin e inspektimit të inspektorëve të ATK-së dhe se gjatë ankesave të bizneseve asnjëherë nuk po merren parasysh faktet nga bizneset, por po verifikohet vendimi kontrollit.

Bizneset kërkuan që domosdoshmërisht të vazhdoi puna e Bordit të pavarur për shqyrtime dhe ankesa, pasi që Bordi ishte efikas në shqyrtimin dhe zgjedhjen e lëndëve, ndërsa gjykatat po tregohen joefikase. /Telegrafi/