Site icon Telegrafi

AKB me zyra edhe për rajonin e Mitrovicës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur të mërkurën Zyrën e bizneseve në Mitrovicë, ku përveç dy komunave të Mitrovicës, përfshihen edhe komunat Skenderaj, Vushtrri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Me këtë rast është nënshkruar edhe memorandum i mirëkuptimit nga kryetari i AKB-së Agim Shahini dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ndërsa hapja e kësaj zyre u inicua nga AKB-ja, Komuna e Mitrovicës dhe Agjencioni Zhvillimor Rajonal Veri (AZHRV).

Kryetari i AKB -së, Agim Shahini, tha se hapja e zyrës në Mitrovicë do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik në regjionin e Mitrovicës, si dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Sipas tij, hapja e kësaj zyre eliminon të gjitha barrierat biznesore të cilat bizneset i kanë paraqitur në zyrat për ekonomi dhe financa në komunën e Mitrovicës.

“Aleanca e Biznesit në këtë zyrë do t’i bashkojë të gjitha bizneset e kë tij regjioni me qëllim të vetëm, që ky regjion të zhvillohet, sepse ky regjion ka nevojë dhe potencial të zhvillohet, dhe këto potenciale nuk duhet të pengohen”, ka thënë Shahini.

Ai theksoi se AKB-ja do të tentojë të sjellë donatorë të ndryshëm në këto hapësira, duke përsëritur se ato nuk do të duhej të pengohen në asnjë mënyrë.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se bashkëpunimi në mes të komunave dhe bizneseve duhet të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, sepse njerëzit e biznesit janë ata që krijojnë vende pune për qytetarët dhe zhvillojnë vendin. “Ne po mundohemi që njëherë e përgjithmonë t’u japim hapësirë bizneseve në mënyrë që të ecim përpara, sepse këtij vendi i nevojiten njerëz të biznesit”, tha Bahtiri.

Ai ka premtuar mbështetje të vazhdueshme nga ana e komunës për bizneset edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, koordinatorja e AKB-së në Mitrovicë, Mimoza Abrazhda, ka bërë të ditur se hapja e kësaj zyre, përveç që paraqet një ndihmë të madhe, do të shërbejë si urë lidhëse në mes të sektorit privat dhe institucioneve.

“Me hapjen e zyrës bëhet diçka standarde ku të gjitha bizneset nga veriu dhe jugu, mund të vinë të qajnë hallet e tyre sepse dera është e hapur për të gjithë, dhe ne do mundohemi që me të gjitha kapacitetet intelektuale dhe potencialet që kemi, t’u ndihmojmë atyre bashkërisht”, tha Abrazhda. /Telegrafi/

Exit mobile version