Site icon Telegrafi

AKB mbledh bizneset kosovare, spanjolle, amerikane, franceze e italiane

Mbi 70 biznese nga vende të ndryshme si nga Amerika, Franca, Italia, Spanja e Kosova nga fusha të ndryshme janë takuar në kryeqytetin e Kosovës, organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe të cilat kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi me bizneset kosovare, gjatë takimit B2B.

Delegacioni i bizneseve po merr pjesë në një takim ekonomik me biznesmenët kosovarë ku janë arritur edhe marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tyre. Qëllimi është të thellojë bashkëpunimin dhe të gjejë mënyra për të rritur investimet në këtë vend.

Kryetari i AKB-së, shtoi se frytet e këtyre bashkëpunimeve ekonomike ndërmjet bizneseve do të shihen në të ardhmen e të cilat do të ndikojnë edhe në forcimin e raporteve politike ndërmjet dy shteteve.

“Kosova ka arritur të tërheqë investitorë nga vende të ndryshme, ku tashmë kemi një ekonomi më të mirë se më parë. Krahas bizneseve nga vende të shumta, këtu janë edhe investitorët spanjollë, e të cilët për herë të parë janë në vendin tonë që akoma shteti i këtyre bizneseve nuk e ka njohur, por pritet që pas kësaj vizite këta biznesmen të ndërrojnë edhe mendjen e zyrtarëve spanjoll, në mënyrë që pos thellimit të lidhjeve ekonomike, të thellohen edhe ato politike”, tha kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Përfaqësuesit e mbi 70 kompanive nga fusha të njëjta pas takimeve kanë arritur bashkëpunime për eksporte e importe dhe do të shikohen edhe mundësit e investimeve të cilat pritet të ndodhin nga viti i ardhshëm.
Delegacioni i bizneseve do të vazhdoi me vizita në biznese të ndryshme të vendit e sidomos në ato prodhuese.
Nga ana tjetër vizita e delegacionit spanjoll ka bërë edhe bujë të madhe në mediat spanjolle, të cilat kanë pasqyruar vizitën e bizneseve spanjolle, mirëpritjen e shkëlqyer dhe imazhin e mirë të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version