Telegrafi

AKB kërkon heqjen e akcizës për pijet joalkoolike

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për media, tha se një ngarkesë e tillë është e tepërt për prodhuesit vendorë, pasi i bën të pabarabartë me ata të rajonit.

“Nëse do të hiqej akciza e brendshme, prodhuesit do të mund të investonin më shumë në fabrikat e tyre, por edhe të shtonin vendet e punës”.

Sipas tij, 17 prodhues të sektorit të pijeve, nga 22 sosh që janë, kanë marrë vendim të kërkojnë heqjen e akcizës së brendshme.

“Kërkesa për heqjen e kësaj akcize, vjen me arsyetimin se në rajon nuk ka akcizë të tillë dhe si e tillë është shumë e shtrenjtë, ku për lëndë të parë dhe pajisje për prodhim, ende paguhet dogana 10 për qind dhe TVSH-ja 15 për qind, po ashtu, energjia elektrike në vendin tonë është e shtrenjtë dhe jo e mjaftueshme”.

Ai tha se kanë vështirësi për eksport, sidomos në vendet fqinje, sepse për eksportuesit nuk ka asnjë stimulim, konkurrenca jolojale është shumë prezente, e sidomos pas 17 shkurtit, ku dy pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës u shkatërruan.

Shahini tha se disa fabrika kanë marrë rrugën drejt falimentimit për shkak të politikave fiskale jo të mira.

Drejtuesi i AKB-së tha se ata kanë dhënë alternativa se si të dilet nga kjo situatë, duke hequr akcizën për pije alkoolike dhe duke ngritur pak akcizën për pijet alkoolike, ari dhe argjend. /Telegrafi/