Telegrafi

AKB-ja dhe Ministria e Diasporës promovojnë prodhimet vendore nëpër Evropë

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka pritur ministrin e Diasporës Ibrahim Makollin, me të cilin kanë diskutuar lidhur me mundësinë e sjelljes së investimeva nga diaspora në Kosovë, promovimin e prodhimeve kosovare në vende të ndryshme si dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për festat e fund vitit.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se është interes që në vendlindje të sillen investimet nga ana e qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të botës. “Sjellja e kapitalit të diasporës do të ndikonte në shumë aspekte zhvillimore në vendin tonë, pos rritjes ekonomike, do të ketë ulje të papunësisë dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, tha Shahini.

Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës, e njoftoi kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe njeherit dhe të Dhomës Kombëtare Tregtare, lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me Unionin e Diasporës Shqiptare, e themeluar në 17 shtete.

Ministri tregoi se ata, ka kërkuar që përmes Ministrisë së Diasporës, që fillimisht ti koordinojnë aktivitetet me AKB-në dhe DhKT-në, në kuadër të projektit “Javët e Biznesit Kosovar”, me qëllim të promovimit të prodhimeve shqiptare në vendet ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët e më gjerë.

Në këtë drejtim AKB-ja dhe MD-ja, do të promovojnë prodhimet vendëse në Evropë e Azi, duke organizuar panaire dhe darka me prodhime vendore në kuadër të festave të nëntorit dhe të fund vitit.

“Diaspora Shqiptare, është e gatshme që të bashkëpunoj me asociacione dhe biznese mbarë kombëtare, kurse roli i AKB-së dhe DhKT-së në këtë drejtim do t’i ndihmonte kapitalit të diasporës në orientimin e duhur, në mënyrë që mos të duplifikohen prodhimet dhe shërbimet që ka vendi por të afrohen disa produkte dhe shërbime që i mungojnë dhe të cila i importojmë nga viti në vit e që janë qindra miliona euro”, tha Ibrahim Makolli.

Si mundësi e aktiviteteve të përbashkëta është: “Darka e Lamës” në Linc të Austrisë, panairi i prodhimeve vendore në Zvicërr, Forumi Biznesor me Diasporën në Gjermani, panairi i prodhimeve vendore në Turqi si dhe aktivitete në vende tjera. /Telegrafi/