Site icon Telegrafi

AKB: Dogana po bllokon bizneset

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe bizneset, kanë reaguar ndaj vendimit të një anshëm të Doganave të Kosovës, për pezullimin e importeve e eksporteve të 219 subjekteve biznesore nga vendi nga 1 dhjetori i këtij viti.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se nga shumë biznese vendore dhe ndërkombëtare kanë marr ankesa për pezullim e bllokim të importeve dhe eksporteve nga 1 dhjetori. “AKB-ja, vlerëson të dëmshëm një vendim të tillë të Doganës së Kosovës, kundër 219 kompanive nga sektorët të ndryshme, sipas doganës borxhet individuale të kompanive sillen nga 500 deri në gjysmë milioni euro”, tha Shahini.

Sipas tij, ky veprim rrezikon mbi 6500 punonjës, 219 kompani dhe rreth 50 kontrata me biznese të huaja me ato vendore. “AKB-ja, bënë thirrje që gjithnjë të respektohet ligji si nga bizneset ashtu edhe nga oficerët doganor, derisa ankesat apo lëndët të shqyrtohen e vendosen nga gjykatat të mos ketë bllokime të importeve eksporteve e punës”, theksoi Shahini.
Kryetari AKB-së, kërkon nga Doganat e Kosovës që të presin e respektojnë vendimet e gjykatave e asesi të marrin veprime të kundërligjshme para se gjykatat të marrin vendimet e prera d.m.th askush mbi ligjin, por le të respektohen procedurat ankimore.

Sylejman Klinaku, zyrtar ligjor i AKB-së, kërkoi nga Doganat e Kosovës që të shfuqizojnë vendimin për pezullimin e importeve të subjekteve biznesore, sepse shkaktohen dëme të pariparueshme e probleme të tjera. “Dogana të gjej mënyra tjera dhe të presin vendimet e gjykatave e bizneset të vazhdojnë me punë dhe ata që kanë borxhe ti kryejnë ato. Nuk jemi të interesuar që ti ikim tatimeve”, tha Klinaku.

Ismet Rexhepi, pronar i kompanisë “Euro Goma”, tregoi se nga 1 dhjetori i këtij viti nëpërmjet një njoftimi i është pezulluar aktiviteti, kinse kjo kompani paska borxhe të vjetra në vlerë 432 mijë euro ndaj Doganës së Kosovës. “Kompania ime nuk ka asnjë borxh ndaj doganave dhe ata kanë shpikur një borxh për të cilin nuk kanë argumente. Pas kësaj jam ankuar tek dogana ku kanë dhënë dy vendime të ndryshme, negative e pastaj pozitive dhe tash dogana ka pezulluar produktet tona”, tha Rexhepi

Edhe Skender Guta, menaxher i kompanisë “Beli euro fol”, tha se kanë probleme me doganën tash një kohë dhe tashmë nga 1 dhjetori u është ndal import eksporti me Gjermanin.

Ai tregoi se nuk kanë kurrfarë borxhi ndaj doganave, por që ata kanë marrë vendim se kinse paskemi borxh 105 mijë euro. “Nëse nuk merret ndonjë veprim i ligjshëm ne detyrohemi që të mbyllim fabrikën dhe 20 punonjësit që kemi do ti lëmë pa punë dhe do të humbim import eksportin me investitorët gjerman. Ky veprim ëhstë një njollë e keqe për investitorët e huaj”, tha Guta.

Burim Piraj, pronar i fabrikës së mishrave “Meka”, kërkon nga doganat që të krijojnë lehtësira për bizneset e jo që të pezullojnë veprimtarinë e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version