Një delegacion i AKB-së, i kryesuar nga kryetari Agim Shahini kanë vizituar kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin, ku kanë nënshkruar edhe Memorandumin e Bashkëpunimit për realizimin e pesë projekteve të përbashkëta me interes për ekonominë e kësaj komune.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, tha se janë të gatshëm t’i ofrojnë bashkëpunim jo vetëm Komunës së Vushtrrisë, por të gjitha komunave të vendit me të vetmin qëllim zhvillimin ekonomik që është edhe mision i AKB-së që nga dita e parë e themelimit.
“Me këmbëngulësi qëndrojmë në rritjen e promovimin e prodhimtarisë vendore”, tha Shahini.
Kreu i AKB-së shtoi se viti 2018 e gjeti Kosovën si vendin më të izoluar në Evropë dhe kjo situatë duhet të ndryshoj dhe kjo mund të bëhet vetëm me përkrahjen e prodhimit vendore.
Ai tha se me Komunën e Vushtrrisë, po nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për realizimin e pesë projekteve që kanë të bëjnë me fuqizimin e zhvillimit ekonomik lokal dhe atë kombëtar.
Me 17 qershor-Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë, për herë të parë realizohet panairi me prodhime vendore me moton “Unë konsumoj prodhime vendore po Ju”, ku do të marrin pjesë kompani lokale e kombëtare.
Do të ndahen pesë bursa për studentët më të mirë të komunës nga Kolegji Universum.
Do të organizohet Forumi Ndërkombëtar me moto: Vushtrria mundësi e re për investime.
AKB-ja, do të sjellë binjakëzime të reja me Komunën e Vushtrrisë dhe do të ndërroi ndriçimin publik në tërë komunën sipas modelit publiko privat.
Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, tha se do të identifikojnë shumë fusha ku mund të bashkëpunohet dhe të ketë zhvillim më të mirë ekonomik, ku sivjet do të përkrahin bizneset e kësaj komune në forma të ndryshme.
“30 deri 50 biznese të reja do të përkrahen nga komuna. Do të mbështetim edhe sektorin e bujqësisë, ku do t’i paguajmë kamatat e kredive të tyre. Edhe parku i biznesit prej 14 hektarësh në Lumë madh do të mbështetet e zhvillohet, e i cili krijon vende të reja pune”, tha Xhafer Tahiqi.
Kryetari i Vushtrrisë, tregoi se do të ketë mbështetje të vazhdueshme, derisa premtoi se edhe në vitin e ardhshëm do të rrisin përkrahjen edhe më shumë.
Të dy palët u dakorduan që në objektin e ri të komunës do të hapet një zyre për komunitetin e biznesit.