Site icon Telegrafi

Akademiku serb: Kosova është e humbur për Serbinë

Ish-kryetari i Akademisë serbe, Nikolla Hajdin, deklaroi se Kosova është e humbur për Serbinë.

“Kosova është çështje e humbur. Do të duhej që ky popull të mësonte me kohë që Kosova është e humbur, sikurse ka deklaruar Dobrica Qosiq. Cila Kosovë serbe? Si e mendoni ende Kosovën në Serbi? A mund ta paramendoni një komunë në Serbinë Qendrore, apo në Vojvodinë me kryetar shqiptar? Nuk mundeni, natyrisht, as unë”, deklaroi akademiku Nikolla Hajdin, njoftojnë mediet serbe.

Akademik Hajdin theksoi se nuk ka ndonjë politikanë që do intelektualët apo shkencëtarët, sepse“ata janë të dobishëm për vendin por pengesë për pushtetin”.

Sipas tij, interesi i Serbisë është që të merret aq sa mund të merret nga Kosova.

“Kjo është që të ruajmë njerëzit tanë, të cilët janë atje dhe objektet fetare e trashëgimia kulturore të marrin mbrojtje ndërkombëtare”, konstatoi Hajdin, i cili ka qenë në krye të Akademisë serbe për tre mandate.

Tutje ai shtoi se në Kosovë jetojnë afro 100.000 serbë, përfshirë edhe ata serbë të cilët jetojnë në Terazija (Beograd – sqarim yni) e që shkojnë në Prishtinë me aeroplan.

“Pra 100.000 serbë mund të kenë të drejta aq sa mund të kenë karshi 2 milionë shqiptarëve. Nuk mund të presim diçka më tepër”, vlerësoi Hajdin, transmeton rtk.

“Çka na duhet ai territor ku nuk ka serbë? Nuk ka vend në Evropë ku i përket pakicës. Në Hungari jetojnë shumica hungarezë, në Poloni jetojnë me shumicë polakë, ndërkaq në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe nuk mund t’i kthejmë në serbë”, sqaroi Hajdin.

Exit mobile version