Site icon Telegrafi

Akademikët e satanizuar

Unë nuk kam ndonjë mendim kushedi çfarë për shkrimet e mia se disa herë më ka ndodhë që të shkruaj dhunshëm, temat që më imponohen nga të papërgjegjshmit, të cilat po marrin kahe të padëshiruar… Si studiues i historisë, ia kam borxh popullit tim, t’iu përgjigjem të gjithave provokimeve që vijnë nga ata të cilët janë sikur një mollë e papjekur e që në brendi e mbushur me krimba. Pra, gjithë atë që e shohim nga jashtë është fallso, pa identitet.

Ç’është e vërteta, çdo herë kam menduar se e nesërmja do të jetë më e mirë, mirëpo ai është vetëm një mendim që humbët shpejt.
Sot, Maqedonia gjen veten para një udhëkryqi të ri, që e çon ose drejtë reformës, ose drejt prishjes së marrëdhënieve ndëretnike. Shumë nga kjo do të përcaktohet nga intelektualët e mirëfilltë dhe nga politikanët objektiv që vendin ta çojnë drejt integrimeve, duke u distancuar nga akademikët e satanizuar.

Është e rëndësishme për ne ti shqyrtojmë shkaqet që na sollën deri te kjo gjendje e padëshiruar edhe pse incizimi i gjendjes është punë e kryer, kemi fituar një pamje të hutuar dhe ndarëse të shqiptarëve dhe maqedonasve. Çka duhet të bëjmë që të hedhim hapin drejt të ardhmes? Çka duhet të mësoj një palë nga tjetra? Po shihet se e ardhmja është e kërcënuar dhe e ndaluar nga e kaluara… që përkujtimet e akademikëve janë të veçanta për nga lloji i vetë, duke krijuar “kopshtin e asmave” kuptohet brenda kompleksivitetit dhe përkufizimeve të paqartësisë, me një fushatë dezinformuese dhe shtrembërim të historisë.

Është thënë se historia sundohet nga ligji. Nëse i kuptojmë këta ligje dhe nëse i përdorim për deshifrimin e ndodhive politike, shoqërore dhe ekonomike, atëherë kemi bë plan me vizion të qartë. Qartësia vije atëherë kur studiojmë historinë në mënyrë objektive, pa manipulime dhe falsifikime. Mirëpo, është fakt se historia e popullit shqiptar është falsifikuar, është shtrembëruar, edhe atë për interesa të politikës ditore.

Historia shqiptare ka gunë shekullore që e përbënë sakrifica dhe vuajtjet të përcjella nga gjenerata në gjeneratë. Të marrim mashtrimin e madh, enciklopedinë, tezat e shkruara në të do të shohim se ka manipulime. Tezat e tyre janë mjeruese nga aspekti shkencor. Ata kanë vepruar në atë mënyrë siç thotë J. W. Gëte: “Në çka ti përkujtoj ata kundërshtarë, të cilët po qe se ndonjëri nuk iu pëlqen, së pari atë e paraqesin në një formë të devijuar, e më pas orvaten që ta zhdukin porsi lugati”.

Duke përshkruar shqiptarët si njerëz të malit, ata harruan gjendjen e tyre primitive dhe sjelljet që për agjent kishin dhe kanë shkatërrimin. Kurse, shqiptarët ishin të hapur dhe fqinjëve të ri iu dhanë pjesë nga pasuria kulturore. Nuk është e rastësishme edhe fjalia tjetër që identifikon shqiptarët me Islamin. Kjo bëhet nga lakmia e madhe e qarqeve nacionaliste për të zgjeruar sa më tepër kufijtë politik shtetëror dhe për të fituar në diplomaci (po luftojnë terrorizmin!), lakmi kjo që gjithnjë i ktheu lëvizjet nacionale në lëvizje nacionaliste me ideologji shoviniste.

Pra, këta janë kryqtarë të vonuar, ngase shqiptarët janë popull me qytetërim të veçantë, se shqiptarët ndërtuan platformën e lëvizjeve kombëtare jo mbi baza fetare, por mbi parimet e epërsisë së ndërgjegjes kombëtare. Momenti tjetër që më bëri të shkruaj këtë shkrim është lufta e 2001-it. Nuk i takoj asnjë subjekti politik, mirëpo nuk mund të qëndroj anash kur shkruhen të pavërteta mbi personalitet politike shqiptare, mbi ata të cilët shkruan me sakrificën dhe gjakun e tyre historinë më të re të kombit shqiptar.

Dihet se me fillimin e viteve 90-ta Maqedonia hyri ne një tranzicion të gjithanshëm “demokratik”. Në përgjithësi ky tranzicion ishte kontradiktor, me shumë të paqarta që kristalizohet me zhvillime të vrullshme, i mbushur përplot me skandale. Çështja është se këtu kemi të bëjmë me mendësitë e njerëzve që vështirë e kuptojnë rrugën e filluar për kultivimin e mendësisë demokratike. Kjo mendësi është krijuar me dyshime, duke paraqitur shqiptarët si element i pasigurt. Andaj, është hap i gabuar i akademikëve që faktet mbi luftën e 2001 i kërkojnë në Beograd apo në Rusi.

Ajo çka ndodhi më 2001 i takon Maqedonisë. Nuk duhet kërkuar që llogaritjet ti bëje dikush tjetër. Kjo tregon paaftësinë e akademikëve që janë miop dhe përbuzin faktet. Qëllimi i tyre dihet, ti kënaqin serbët. Ky deformim i akademikëve në mënyrë shkatëruese reflektohet në marrëdhëniet ndëretnike, që paraqet një segment të ndjeshëm të shoqërisë së Maqedonisë. Këtë ndjeshmëri akademikët satanist nuk arrijnë ta kuptojnë, andaj dalin edhe me hartat e çmendurisë së tyre, duke propozuar ndryshim të kufijve.

Prapa kësaj skene nuk di nëse dikush do të gjeje mirëkuptim. Jam skeptik në drejtimin se mund të shërohet plaga vetëm me një intervenim të vogël. 2001-shi përbënë një kthesë historike, që nuk krahasohet me ngjarje të tjera, ngase me Marrëveshjen e Ohrit lindi shteti i ri, që për bazë kishte demokratizimin e shoqërisë maqedonase, ti mësoj se si jetohet në bashkëjetesë… si duket akademikët kanë problem me kujtesën, por iu them se kujdes me lëvizjet e juaja në hartat e çmendurisë, kujdes çka shkruani për liderin e UÇK-së, ngase atë çlirimtarët edhe sot e thërrasin komandant.

(Autori është student në Master, drejtimi Diplomaci në UEJL)

Exit mobile version