Site icon Telegrafi

Akademia e Shkencave të Vidovdanit

Pas një heshtjeje të gjatë, ASHAK-u – e cila nuk foli as në momentet kyçe për vendin, kur kishte nevoje që ky institucion të behët i gjallë dhe ta thotë fjalën e vet të nderit për momentet delikat të historisë historisë sonë – kryetari i ri i saj, u bë gjallë: foli me sa zë që pati, jo rreth problemeve të ndjeshme të vendit e as për librat që po promovonte si “shkencë të rëndë”, por u prononcua për një botim tjetër që nuk pati lidhje me aktivitetin e organizuar rreth të parës histori autoriale të Kosovës – botimit trevëllimësh, “Kosova” , të Jusuf Buxhovit. Ky reagim, i cili çuditërisht vjen në një moment që fare nuk lidhet me librin – ngase gjithë ajo tiradë e kryeakademikut dr. Hivzi Islami erdhi në aktivitetin “vetëpromovues” të botimeve stereotipe që bën ky institucion – është një përkrahje tinzare e reagimit të akademisë simotër nga Beogradi, SANU, të shoqëruar më parë edhe nga disa krrokama të çorbaxhinjëve të do instituteve anonime me drejtorë të shumtë, qofshin “teologë”, “historianë” apo edhe intelektualë kinse të pavarur. dhe qarqeve të identifikueshme qeveritare. Një pajtim i koordinuar i faktorit serb, atij të “jashtëm” dhe faktorit vendor!

E keqja më e madhe e këtyre reagimeve është se asnjëri prej tyre nuk merret me librin, më përmbajtjen e tij, as i bënë analizë të mirëfilltë për të gjetur vlerat dhe jo vlerat, shkarjet dhe gabimet eventuale. Por, janë konstatime kuturu, madje reagime për një libër që nuk e kanë lexuar fare. I vetmi “argument” i këtyre reagimeve është se kinse prapa librit autorial po i fshehkan njerëzit jokompetentë, duke e nënkuptuar përgjegjësinë shkencore që, sipas mendimit të tyre, duhet të vijë nga titujt dhe gradat e munguara shkencore – që zakonisht në ambientin tonë akademik nuk dëshmojnë asgjë më shumë pos faktit se janë rezultat i një vetëdije korruptive (dihet si janë marrë e si merren titujt e caktuar e që asnjëherë nuk janë pasqyrë e dijes dhe formimit intelektual e shkencor, aq më parë kur është krijuar bindja se me marrjen e titullit kapet litari I dijes përfundimtare për të cilin duhet të rrijë varur gjithë jetën). Të njëjtit as që e dinë se ç’ shkolla kanë mbaruar të apostrofuarit, sepse nuk janë verbuar nga pEsha e gradave dhe harrojnë se titujt shkencor nuk funksionojnë a priori pa një punë komplementare të vazhdueshme në sferat e preferuara të dijes. Po aq harrojnë kontributin e vet në fabrikimin e padijes akademike në institucionet ku punojnë.

Pak ka njerëz me grada shkencore që kanë dhënë ndonjë kontribut të shquar në shkencën tonë e aq më keq që rrethanat e reja i kanë fshirë fare shumë libra dhe kontribute “shkencore” të skribomanisë së tyre. Në jetën tonë të përditshme këta tituj të dyshimtë madje kane shkuar deri aty sa ata i kanë shërbyer si mjete represive ndaj dijes, sepse përmes tyre, si në rastin konkret, shërbenin për uzurpimet e pozicioneve institucionale për një dije dhe shkencë të kontrolluar.

Ky reagim i kryeakademikut, aq më parë që është fyes, dhe aq më keq për të që është kongruent me qëndrimet e akademisë serbe – veçanërisht që behët para njerëzve që statusin akademik e kanë marrë në rrethana jo fort të moralshme – të detyron të mendosh se kush janë këta tipa akademikë, cila është fytyra e vërtet e këtij institucioni, tradita dhe historia që bëhet pikërisht nga anëtarët e saj.

Të gjitha institucionet e Kosovës janë rezultat i zhvillimit dhe avancimit politiko-juridik të Kosovës dhe kosovarëve, që nga “banovina” e hershme, “obllasti”, “srezi” e deri te “krahina autonome”, duke pasur për bazë aktet e caktuara normative, ligjet gjegjëse, statutet e deri te Kushtetuta. Edhe Akademia jonë e nderuar është pjesë e këtij procesi. Po ky proces i zhvillimit politiko-juridik ka ndodhur brenda një sistemi ultra totalitar, ku çdo gjë u bë për shtetin dhe nevojat e tij dhe ku inteligjencia ishte në aktivitetin e vazhdueshëm të verifikimit “shkencor”, e më shumë moralo-politik. Vetëm një pakicë e nderuar në këtë institucion arritën të ruajnë nderin e fytyrën, kurse pjesa më e madhe e anëtarëve ishin në pajtim të plotë me rrjedhat politike, në pajtim të plotë më statusin e një institucioni të shtetit totalitar.

Nga ASHAK-u as ka kërkuar kush e as kërkon që të jetë hartuese e projekteve të mëdha nacionale, aq më pak të projekteve analoge me SANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë). Por, së paku të ishte një zëdhënëse e vockël e një përpjekjeje për emancipim politik, kulturor, shkencor dhe artistik të popullatës që e përfaqësonte. Të sillte një mendim ndryshe në jetën shkencore dhe artistike.

Akademikët tanë, pjesa më e madhe e tyre e pranuar me kriteret moralo-politike dhe pa ndonjë kontribut të dalluar shkencor, u akomoduan në këtë institucion si struci, me kokën në rërë, shikonin se nga po shkon kërkesa legjitime e shqiptarëve për një avancim të statusit të tyre kushtetues.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës as gjatë viteve të ’80-ta nuk arriti të jetë partnere dhe rivale e simotrave të saj në ish-Jugosllavi, e aq më pak të jetë një mburojë e popullit të saj të rrezikuar. Pikërisht, shkrimtarët ishin ata që hapën frontin me ata të “Francuska 7” dhe jo vetëm që e hapën frontin, por edhe e fituan dyluftimin intelektual aq sa pala kundërshtare hoqi dorë nga ballafaqimi në Prishtinë. Ky ishte legjitimimi i parë ndërkombëtar i shqiptarëve si entitet serioz me të cilin duhet marrë politika ndërkombëtare.

Intelektualët suprem, çfarë i presupozon opinioni kosovar anëtarët e këtij institucioni, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk patën të shkruar e as thënë një fjali kundër regjimit. Dhe, po e thanë atë fjalë, ajo ishte pikërisht nën pikëpamjen e “internacionalizmit proletar”. ASHAK-u si institucion ishte pjellë e një shteti totalitar dhe atë filozofi e mbrojti deri në fund, duke mos pasur as ide e dije, e as fuqi morale për ta thënë një fjali se shqiptarët jetojnë të okupuar dhe në komunizëm, se pjesa tjetër janë viktimë e një sistemi totalitar stalinist dhe se që të dy pjesët e kombit janë në shërbimin serbo-rus. Nuk e thane se ishin të zënë me shkencën e rëndë dhe me gradabërjet shkencore! Pra, ASHAK-u ishte një institucion pa identitet shkencor, artistik e intelektual, por me një profilizim të qartë politik.

Për akademikun tonë ishte e mjaftueshme që para emrit të vet t’i fshinte si me gomë gradat “shkencore” dhe ta vendoste epitetin e gjithëfuqishëm “akademik” dhe me të fitonte të drejtën që ta shihte popullin nga “kali i bardhë”. Nuk e di se ndonjëri prej tyre ka çarë kokën se djemtë e vajzat e reja futeshin burgjeve serbe me idetë staliniste dhe nga andej dilnin ose te rirekrutuar ose të shkatërruar fizikisht e psikikisht. Është vërtetë e rëndë dhe e dhimbshme të kujtohet ajo periudhë e aq më e dhimbshme që sot të kërkohet llogari për një gjendje të tillë. Mirëpo ripërsërtija e historisë, rishfaqja e klisheve mendore kongruente nga periudha e përparshme në një kohë kur ajo periudhë duhet t’i takojë historisë, të detyron të prekësh plagën e pashëruar.

Po kjo Akademi, duke harruar se akomodimi ideologjik socialist më nuk është i vlefshëm, nuk e kujton se tani duhet bërë riverifikimi i statusit, ridimensionimi i shkencave të saj, e dyshim edhe i moralit akademik. Këta akademikë që në përurimin e objektit të ri (po të qëndronin në të vjetrin do të krijonin idenë se janë relikt i një kohe të harruar dhe pjese e trashëgimisë kulturore analog me objektin!) presin shiritin e inaugurimit para një pllake me një citat nga mendimet e kryeministrit Thaçi! Mirëpo, akademikët tanë nuk e lanë kryeministrin në hallet e veta politike, ngase deshën ta nxjerrin edhe si mendimtar, duke e bërë të skuqet fare nga ideja e marrë akademike. Me këtë akademikët tanë dëshmuan se mbetën ata “çantaxhitë” dhe sahanlëpirësit e vjetër, përherë të gatshëm për shërbesa politike.

Akademikët tanë edhe në planin shkencor dhe artistik për më shumë se një dekadë të aktivitetit nuk lanë shenjë kund. Edhe kur shkruan e botuan gjë, flas për projekte kolektive, ato kinse të karakterit kapital cfarë ishte monografia për Kosovën, bënë punë për faqe të zezë: shkruan historinë sipas skemave të historiografisë shoveniste serbe. Aty, përkundër pikëpamjeve të Buxhovit, na e nxjerrin si nga kapela e prestixhatorit “shtetin mesjetar serb”, “kishën orotodokse serbe” etj. Ky, pos një gabimi material, është edhe një gabim metodologjik. Le të na thonë se sipas cilit dokument të kohës dëshmohet “shteti mesjetar serb” dhe “kisha ortodokse serbe”!?

Çdo studiues serioz i kësaj problematike e di se historiografia serbe ka bërë një falsifikuat të madh historik, duke krijuar për nevoja politike “shtetin mesjetar serb” nga “Rasit” (Rashka) dhe rasianët tribalë, që nuk kishin asnjë lidhje me serbët. Këtë e di edhe një pjesë e historiografisë serbe. Nuk ka nevojë për të qenë ndonjë studiues i thellë i historisë serbe dhe për ta hetuar se i gjithë ai falsifikuat mbështetet në dy-tre libra si “Letopis popa Duklanina”, “Istoria slavena” e Mauro Orbinit , “Istoria slavena ilira, donje e gornje Mezije” të Gjuragj Brankoviqit dhe katër versione false të “krisovulave” kishtare, e që të gjitha të shkruara në gjuhë të huaja. Libri i Orbinit madje përkthehet pa 200 faqet e para, në të cilat gjykuar sipas një citati nga libri i Jovan Rajiqit (“Краткаја Сербљи, Раси, Босни и Рами кралевств историја”, i shkruar në “staroslovenski”), flitet për Dardaninë dhe dardanët…

Akademikët tanë të nderuar nuk e panë të arsyeshme ta thonë asnjë fjalë kundër simpoziumit shkencor të SANU-s, të e mbajtur më 2007 në Beograd, për ta “dëshmuar” se shqiptarët janë të ardhur nga Albania e Kaukazit (këto materiale janë botuar në një libër, “Kavkazki albanci lazni iliri”). Jo vetëm se nuk e thonë një fjalë të nderit kundër, por teza e tillë në formë rudimentare shfaqet edhe në librin e një anëtari të këtij institucioni, që domethënë se vetë ky institucion kontribuon në mjegullimin e të kaluarës sonë. Por, historia dhe historiografia është proces i hapur dhe çdo hulumtim – kurse hulumtimi i terenit është në pikën zero – do të ndryshojë përfytyrimin sllav dhe të akademisë sonë për shqiptarët dhe etnogjenezën e tyre. Ky përfytyrim sllav është shndërruar në klishe mendore me të vetmin qëllim: që popullatën vendore ta privojnë nga historia dhe e drejta historike e tyre ndaj këtij vendi. Ky klishe është pranuar vetëm nga shkenca dhe inteligjencia kosovare, por jo edhe nga popullata shqiptare!

Akademia e Shkencave heshti trimërisht duke mos ia prishur politikës për Pakon e Ahtissarit, me të cilën Kosova jo vetëm se u bë Kosove e Metohi, siç e quajnë serbët, por “metohi” fare se një pjesë e madhe e saj u shndërrua në pronë kishtare e me këtë edhe iu fal dhunshëm e drejta historike ndaj këtij vendi.

Është e habitshme dhe e pafalshme se si një institucion i tillë të mos çajë kokën për historinë nacionale, që të mos shfaqë as më të paktin dyshim mbi versionin serb të historisë sonë nacionale! Kryetari i Akademisë nuk dyshon në asnjë moment në leksionet e shkollës fillore. dhe të mesme, se dije më të madhe për historinë edhe nuk ka, e sipas të cilave serbët identifikohen nga emrat me etimologji të adaptuar sllave, kurse shqiptaret vihen në dyshim për shkak te emrave të tyre joetnik, Historiografia serbe, një pjesë e saj, e di se Nemanja (te Rajiqi Nemani), Dushani etj. janë rasianë, tribal sipas verzionit bizantin e ilir, sipas atij raguzian…

Nuk e di sa e kuptojnë akademikët se institucioni i tyre gjendet në një moment delikat: ç’të behët me këtë institucion të ardhur nga sistemi totalitar?! As mund të reformohet e as të vazhdohet më të. Kishte të drejtë një qytetar që thoshte, duke kaluar nga godina e këtij institucioni: “Tash që janë në këtë ndërtesë njerëzit pyesin: a thua se ç’ punojnë këta njerëz brenda? Përpara, te godina e vjetër i patëm harruar se ekzistojnë fare”.

Derisa Jusuf Buxhovi e shkruan librin trevëllimësh me rreth 2.500 faqe pa harxhuar as një cent të taksapaguesve kosovarë, pa dëmtuar askënd dhe duke hapur një dritare të re të vështrimit të historisë nacionale, këta akademikët harxhojnë gjithë atë buxhet për të na mësuar të mendojmë sllavisht.

Kryeakademiku harron gjënë elementare: historia e Buxhovit është projekt autorial dhe se për bazë ka një pikëvështrim personal të historisë dhe shfaqje të një botëkuptimi ndaj një procesi historik, çfarë janë të gjitha historitë analoge. Mendja e kryeakademiku tonë është e obsesionuar nga klishetë mendorë të shkencës socialiste, sa nuk di se ç’është projekti i një historie autoriale.

ASHAK-u as ka pas e as ka ndonjë mision të caktuar. Pse ky institucion nuk bën një projekt, së paku arsimor (fjala vjen, për shkollimin e kuadri të ri për gjuhët që po i munguekan kryeakademikut si osmanishtja dhe sllavishtja e vjetër, por edhe “greqishtja e vjetër”, latinishtja dhe gjuhë të tjera të vdekura, që do të mund ta bënte përmes një kërkese drejtuar institucioneve që përkujdesën për ngritjen shkencore të kuadrit universitar), që nesër ta kemi atë kuadër të specializuar që do të na e artikulojë tamam si duhet problemin e identiteti historik të shqiptarëve!?

Nuk ka se si të mos na kujtohen kontributi i madh i ASHA-s në jetën publike, krijimi i dy partiçkave akademike, fshatares jetëshkurtër dhe LBD-së edhe më jetëshkurtër, që ikën pa lënë gjurmë mësa idetë e këtyre bajlozave të shkencës dhe artit kosovar!

Në fund fare, akademikët duan ta kenë mirë më pushtetin se ai ua ndanë buxhetin dhe zëshëm pajtohen me degradimnin e jetës së njeriut tonë, ku intelektuali është shndërruar në tepricë teknologjike që duhet hedhur në plehra e injoranti faktor politik vendimmarrës që duhet të vendosë për mënyrë e jetesës sonë.

Exit mobile version