Telegrafi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i përgjigjet Auron Tares

Pas kërkesës së studiuesve të letërsisë shqipe për Akademinë e Shkencave, që të dilte me një reagim zyrtar për shkrimin e Auron Tares në “Pejzashe të Fjalës”, ku shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi cilësohen si pjesë të agjenturave të huaja, ky institucion ka reaguar zyrtarisht.

Në reagimin e Akademisë thuhet:

“Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare. Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet.

Krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor.

Në këtë optikë përgjegjësie institucionale, Akademia e Shkencave e ka shprehur qëndrimin e vet ndaj vendit që kanë në historinë e letërsisë këta personalitete përmes kërkimeve cilësore në formën e monografive, artikujve shkencorë dhe botimeve enciklopedike të shumë anëtarëve të saj, që qëndrojnë mbi përditshmërinë e debateve mediatike”.

Akademia rikonfirmon vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur edhe zgjedh të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare për Martin Camajn:

“Është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë”.

Lexo po ashtu Martin Camaj, agjent i UDB-së!?
Lexo po ashtu Akademia duhet të shprehë mendimin e vet për Camajn e Koliqin
Lexo po ashtu Martin Camaj, shkrimtar i lartësive