Site icon Telegrafi

Akademia e Mbrojtjes së FSK-së, diplomojnë kadetët e gjeneratës 2021

Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, sot u mbajt ceremonia ushtarake e diplomimit të 15 kadetëve të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, respektivisht Qendrës për Studime Universitare  të gjeneratës 2021.

Nikoqirja e ceremonisë, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), komandë brenda së cilës vepron edhe Akademia e Mbrojtjes dhe QSU, gjeneral brigade Irfete Spahiu.

Gjeneral Spahiu në adresimin e saj, u rikujtoi kadetëve rrugëtimin e përbashkët me të gjitha strukturat e komandës që udhëheq për të realizuar arritjen e standardeve më të larta profesionale dhe akademike me programin tejet sfidues për përgatitje psikike, fizike,  profesionale dhe intelektuale.

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, në mesazhin e tij drejtuar kadetëve të diplomuar, i inkurajoi të qëndrojnë konsistencë në realizimin e synimeve me frymën dhe shpirtin luftarak gjithmonë duke ruajtur prestigjin e FSK-së dhe vlerat themelore të ushtarakut, si Detyrën, Nderin dhe Atdheun. Ai gjithashtu, shprehu falënderimin për partnerët tanë të cilët me mbështetjen e madhe mundësuan zhvillimin dhe avancimin e QSU-së.

Zëvendësministri Shemsi Syla, u rikujtoi kadetëve rrugëtimin me përplot sprova e sfida gjatë studimeve.

Ai gjithashtu, shprehu besimin e plotë në suksesin  dhe fitoren e garantuar të tyre  në përmbushjen e misionit  gjatë shërbimit si lider ushtarak sepse gjithmonë do të udhëheqin nga vlerat e shenjta të ushtarakut, detyrës, nderit dhe atdheut.

“Të gjithë shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për mbështetjen e madhe nga ana e familjarëve të kadetëve, duke shprehur besimin se si oficerë nga sot do të arrijnë shkathtësitë e duhura për pjesëmarrje dinjitoze edhe në operacionet jashtë vendit që me gatishmërinë profesionale dhe morale t’i shërbejnë njerëzimit dhe paqes kudo që ka nevojë”, thuhet në njoftim.

Ceremonia përkatëse vazhdoi me ndarjen e diplomave për 15 kadetët e diplomuar. Në mesin e të diplomuarve ishin edhe dy kadetë nga Republika e Shqipërisë. /Telegrafi/

Exit mobile version