Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të lansojë sot Doracakun për Praktika Gjyqësore në Akademinë e Drejtësisë.
“Doracaku paraqet një hulumtim të praktikës së Gjykatës së Apelit, për divizionin civil, departamentin për çështje administrative dhe departamentin për çështje ekonomike. Përkatësisht, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në koordinim me Akademinë e Drejtësisë kanë bërë identifikimin e shkeljeve më të shpeshta në praktikë, duke ofruar zgjidhje përmes praktikës së gjykatës se Apelit.
Doracaku përmban edhe udhëzime adekuate për veprimet procedurale që duhet ndërmarrë, për të zvogëluar trendin e lëndëve që kthehen në rishqyrtim si dhe për të ndikuar në rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e rasteve gjyqësore”, thuhet në njoftimin për media.
Nikoqir të ngjarjes do të jenë Luljeta Hetemi, u.d drejtoreshë ekzekutive e Akademisë së Drejtësisë dhe këshilli redaktues i Doracakut. Në ngjarje do të marrin pjesë edhe zëvendësambasadorja norvegjeze, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetari i Gjykatës Supreme, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, si dhe përfaqësues të UNDP-së.