Pas Milanit, edhe Ajaxi mund të zbarkojë me akademinë e saj në Kosovë. Dy persona nga akademia e klubit të famshëm holandez do ta vizitojnë këto ditë akademinë më të suksesshme të vendit tonë, atë të 2 Korrikut, ku do ta shohin mundësinë e bashkëpunimit me klubin prishtinas.
Siç mëson ekskluzivisht Expressi, këta dy ekspertë të futbollit, nesër do të takohen me stafin e 2 Korrikut, ndërsa më pas do ta mbajnë një seminar. “Pas këtij prezantimi, ata të dielën do t’i vizitojnë grupmoshat e reja 2 Korrikut, të cilët do t’i shohin duke luajtur”, njofton një burim i besueshëm.
Express e ka kontaktuar drejtorin e klubit prishtinas, Shaban Baholli, i cili as nuk e ka pohuar e as mohuar zbarkimin e holandezëve në kryeqytetin kosovar, duke thënë se për çdo detaj, opinioni do të njoftohet me kohë.
Siç dihet, gjiganti italian – Milan, çdo vit mban kampe në Kosovë, ku mundohet të nxjerrë talente, të cilët më pas i transferon në Itali për t’u testuar. Njëjtë flitet se mund të veprojë edhe gjiganti tjetër evropian – Barcelona. /Express/Telegrafi/