Edhe pse sukseset e sportistëve janë të pakta në arenën ndërkombëtare, si pasojë e izolimit të sportit, ata ia kanë dalë ta ngrenë Flamurin e vendit të tyre, shtetit më të ri evropian, më lart e më mirë se çdo kush tjetër.
Flamuri i Kosovës vitin e shkuar ka valuar aq lart, duke treguar se Kosova ekziston dhe do të vazhdoj të ekzistojë gjithnjë si e pavarur.
Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës në xhudo, duke bërë që e tërë bota ta kuptojë se Kosova është aty dhe ka çka t’i japë botës, jo vetëm në botën e sportit.
Gjithçka ka filluar në kontinentin e Afrikës. Herën e parë që Majlinda e kishte ngritur lart Flamurin e Kosovës ishte në vitin 2010 në Tunisi.
“Vetëm ata që e kanë provuar mund të tregojnë se çfarë ndjenje është kur e sheh flamurin e vendit tënd të ngritur lart, më së larti nga të tjerët. Ishte gjithçka e papërshkrueshme kur ndodhi për herë të parë në Tunizi.
Një moment që nuk harrohet dhe të bën të jesh krenar, së bashku me gjithë popullin tënd”, tha Kelmendi. Dhe më pas pason e njëjta gjë, nëpër metropolet më të mëdha botërore, Moskë, Paris, Abu Dhabi, Rio de Janeiro etj….
“E kam ngritur lart Flamurin edhe në vendet që nuk na njohin si shtet, si në Rusi dhe Brazil, e vende të tjera dhe kështu ia kam bërë të ditur të gjithëve se Kosova ekziston dhe ajo ka sportistë të mëdhenj, që e meritojnë të jenë pjesë e sportit të botës dhe se izolimi i tyre është i padrejtë”.
Kampionia kosovare e botës në xhudo as tash e pas gjashtë viteve të Pavarësisë së Kosovës nuk është pishman se ka refuzuar para ta majme nga vendet e ndryshme të botës. “Kjo është që nuk më ka lënë t’i pranoj ofertat e shumta që kam pasur deri më tashti.
Ato tash I takojnë së kaluarës, pasi që e ardhmja ime është me Kosovën. Nuk ka para që mund të paguajnë atë ndjenjën kur e di se të gjitha po i bën për vendin tënd, për njerëzit e tu”, shton xhudistja kosovare.
Gjashtë vjet kanë kaluar, por do të ketë edhe me dhjetëra të tjerë plot medalje dhe gëzime për shtetin e Kosovës. “Jam ende e re dhe ky është vetëm fillimi. Së bashku me popullin e Kosovës do të vazhdoj të fitoj medalje dhe tituj në të ardhmen. Edhe shumë e shumë herë do ta ngris Flamurin e Kosovës lart nëpër tërë botën”. /Zëri/Telegrafi/