Site icon Telegrafi

“Ajo Mal” – Një dokumentar që frymëzon dhe fuqizon vajzat dhe promovon malet e Kosovës

Bjeshkët e Kosovës janë më shumë se një destinacion turistik; ato janë dëshmi e bukurisë së paprekur natyrore dhe një burim i pashtershëm inspirimi për ata që kërkojnë sfida dhe qetësi shpirtërore.

Pikërisht këto peizazhe madhështore shërbejnë si sfond për projektin unik “Ajo Mal”, një dokumentar që sjell në vëmendje fuqinë e vajzave dhe grave në botën e bjeshkatarisë. Premiera e dokumentarit është planifikuar të jetë një moment i rëndësishëm për komunitetin e bjeshkatarisë, aktivistët e turizmit dhe ata që besojnë në fuqinë transformuese të natyrës. Por ky është vetëm fillimi; “Ajo Mal” synon të frymëzojë dhe të motivojë përtej ekranit, duke nxitur një lëvizje për barazi dhe përkushtim në mbrojtjen dhe dashurinë e përzemërt ndaj aleatit tonë më të fuqishëm në planet-natyrës. 

Premiera e dokumentarit është e hapur për publikun dhe ju mirëpret me datën 25 nëntor, në Kino Armata, duke filluar nga ora 18:45. 

Zyrtarë nga sektori publik, privat dhe shoqëri civile, bashkë me publikun do të jenë pjesë e kësaj ngjarje dhe pas përfundimit të dokumentari do të kenë rastin të mbajnë fjalimet e tyre për publikun ku njëherit shprehin mbështetjen për sportin dhe rininë në Kosovë. Ngjarja do të përmbyllet me një koktej rasti ku të gjithë do të kenë mundësinë të ndajnë mbresat dhe të parashtrojnë komentet e tyre. 

Projekti Ajo Mal, i implementuar nga Fondacioni Utalaya dhe mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka përzgjedhur njëzet vajza nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke i aftësuar ato në turizëm malor dhe aktivitete të natyrës. Ky projekt synon të ofrojë mundësi praktike dhe teknike për vajzat pjesëmarrëse, duke i ndihmuar ato të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mental përmes bjeshkatarisë dhe eksplorimit të maleve të bukura të Kosovës. 

Përmes këtij projekti, vajzat do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të udhëhequr dhe promovuar shtigjet malore të Kosovës, punën e guidës malore duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ruajtjen e natyrës në rajon. 

Ky projekt është një rrëfim i pasionit, guximit dhe përkushtimit. Në qendër të dokumentarit janë vajzat e reja nga Kosova që, nën mentorimin e bjeshkatares së njohur Uta Ibrahimi, zbulojnë jo vetëm bukuritë e maleve, por edhe veten e tyre. Përmes historive personale dhe përjetimeve të tyre, dokumentari shpalos transformimin që ndodh kur njeriu përballet me sfidat e natyrës dhe me kufijtë e vet. 

Mbi të gjitha kjo krijimtari shpërfaq magjinë e unitetit dhe mbështetjen e gruas ndaj gruas, një mbështetje që secili njeri pa dallim gjinie, moshe, etnie apo përkatësie fetare duhet ta kemi të kalitur në brendësi. 

“Ajo Mal” nuk është thjesht një projekt për malet; është një thirrje për të njohur dhe promovuar rolin e grave në një fushë që shpesh perceptohet si e dominuar nga burrat. Vajzat në dokumentar përfaqësojnë një gjeneratë të re të grave që nuk kanë frikë të përqafojnë pasionet e tyre, të sfidojnë normat dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, qofshin ato në lartësitë e maleve apo në jetën e përditshme. 

Dokumentari përfaqëson më shumë sesa një histori individuale; ai synon të ndërtojë një narrativë kolektive mbi fuqinë e bjeshkatarisë për të krijuar një lidhje të thellë mes njerëzve dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, ai adreson nevojën për të inkurajuar më shumë gra të përfshihen në sporte dhe aktivitete që tradicionalisht mund të mos kenë pasur pjesëmarrjen e tyre të duhur, si dhe mbrojtjen e ambientit dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm. 

Projekti gjithashtu shërben si një platformë për të promovuar turizmin malor të Kosovës dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Duke kombinuar elemente të aventurës, kulturës dhe fuqizimit personal, “Ajo Mal” është një ftesë për të gjithë – burra dhe gra – për të përjetuar mrekullinë e maleve.

Exit mobile version