Site icon Telegrafi

“Ajo ma dha jetën, unë ia zgjata asaj”, Peric-Komsic lë futbollin pasi ia dha 70 për qind të mëlçisë nënës së tij

Robert Peric-Komsic, një sulmues kroat i lindur në vitin 1999, duhet ta ketë menduar thënien: “Ka vetëm një nënë, pasuria më e çmuar për një fëmijë”, kur iu tha se koha në dispozicion për nënën e tij Ljiljana tani kishte mbaruar.

Në fakt, nëna e futbollistit vuante nga një sëmundje që i kishte konsumuar mëlçinë dhe, transplantimet e ndryshme që kishte bërë, nuk kishin dhënë kurrë rezultatin e dëshiruar.

Donatori i fundit i pajtueshëm ishte djali i saj, Roberti, vendimi i të cilit ishte menjëherë i qartë dhe i lehtë për t’u marrë.

Nënë Ljiljana mori 70 për qind të mëlçisë së Robertit, duke u operuar në një klinikë të specializuar në Stamboll, pavarësisht rreziqeve për karrierën e tij që iu paraqitën para operacionit: asgjë në krahasim me mundësinë që nëna e tij të shërohej sërish, një prioritet absolut që tani më në fund po merr formë të plotë.

“Operacioni shkoi mirë, shërimi po ecën shumë mirë. Faleminderit Zotit që të dy jemi mirë”, ka thënë fillimisht Peric-Komsic për mediat lokale.

“Nëna ime mori një jetë të re pas 13 vitesh të gjata mundimi. Kur mësova për këtë mundësi karriera ime përfundoi, nuk më interesonte asgjë. Misioni ishte i qartë: ta bëja nënën time të ndihej mirë”.

Mëlçia e Peric-Komsic po rigjenerohet rregullisht, gjë që hap mundësinë e rikthimit në fushë pasi ka ndërprerë karrierën e tij: nëse do të jetë në nivele të larta apo në kategori më të ulëta, nuk ka rëndësi.

“Mami duhet t’i nënshtrohet terapisë, por kjo nuk është aspak e re për të. Vlerat e mia janë normale. Unë nuk jam hero, kam bërë atë që duhet të ndodhë në një familje që funksionon. Heroina e vërtetë është nëna ime: ajo na dha jetën, unë ia zgjata asaj”, përfundoi futbollisti kroat.

Ndryshe, 23-vjeçari Peric-Komsic ka luajtur me klube si Rudes, Instria 1961 dhe së fundmi te Cibalia. Ai ka qenë edhe reprezentues i Kroacisë U16 dhe U19. /Telegrafi/

Exit mobile version