Telegrafi

‘Ajo e bukur dhe tërheqëse, ai i papërshtatshëm’ – Jennifer Lawrence në komedinë provokuese

(Foto: Columbia Pictures)

Jennifer Lawrence është sinonim i një prej aktoreve të reja më të suksesshme, më të respektuara dhe më të bukura në Hollywood, ndërsa gjatë kësaj jave nis shfaqjen nëpër kinema filmi i saj më i ri, “No Hard Feelings”.

Roli në trilogjinë “The Hunger Games”, si Katniss Everdeen, i çmendi vajzat adoleshente në të gjithë botën, roli në filmin romantik “Silver Linings Playbook” (2012) i siguroi asaj një Oscar për rolin kryesor femëror vetëm në moshën 22 vjeçare, ndërsa me filmat “American Hustle”, “Joy”, “Don’t Look Up” e “Causeway”, e çimentuan statusin e saj në Hollywood si një aktore fenomenale që e ngre çdo projekt në një nivel më të lartë.

Lexo po ashtu Jennifer Lawrence flet për vendimin për të lënë shkollën dhe për të ndjekur aktrimin: U largova nga shtëpia kur isha 14-vjeçare

E vendosur në New York, ngjarja e ndjek Maddie, një femër e re që punon si shofere e Uber, e cila po përballet me falimentimin. Ajo pranon një postim të pazakontë të Craigslist, në të cilin punëdhënësit janë prindër që kanë vënë re se djali i tyre introvert 19 vjeçar, Percy, nuk po tregon interes për t’u takuar me femra ose për të bërë seks.

Në këmbim të një Buick Regal, Maddie pranon të bëhet “e dashura” e djalit të tyre dhe ta ndihmojë atë të përfshihet në jetën e të rriturve. Megjithatë, shumë shpejt do ta kuptojë se e ka shumë të vështirë që ta joshë Percyn, përkundër se është një femër atraktive.

Lexo po ashtu Lawrence rrëfen se ishte refuzuar për rolin kryesor në sagën e famshme filmike

Krahas Jennifer Lawrence (Maddie Barker), në film luajnë edhe Andrew Barth Feldman (Percy), Matthew Broderick (babai i Percyt), Laura Benanti (nëna e Percyt), pastaj Natalie Morales, Scott MacArthur, Ebon Moss-Bachrach e të tjerë.

Ndërkaq, Gene Stupnitsky e ka bërë regjinë dhe e ka shkruar skenarin së bashku me John Phillips. /Telegrafi/