Telegrafi

Ajeti i jashtëzakonshëm, shënon dy gola dhe bëhet golashënuesi më i mirë në Zvicër

Albian Ajeti (Foto: Basel/Twitter)

Albian Ajeti ka vazhduar shkëlqimin në futbollin zviceran.

Sulmuesi nga Kosova ka qenë i jashtëzakonshëm për Baselin në ndeshje ndaj Young Boysit.

Llapjani ka arritur të shënoj dy gola ndaj kampionit të ri të Zvicrës, në fitoren e thellë të Baselit 5-1.

Fillimisht Ajeti shënoi golin e parë në minutën e 22-të pas asistimit nga Elyounoussi.

Ndërkohë golin e dytë personal sulmuesi nga Podujeva e realizoi në minutën e 79-të ku kësaj radhe asistues ishte Zuffi.

Me dy golat e shënuar këtë mbrëmje, Ajeti ka marrë vendin e parë në listën e golashënuesve në Zvicër.

21-vjeçari deri më tani ka shënuar 15 gola dhe ka lënë mbrapa sulmuesin francez Guillerme Hoarau me një gol më pak.

Dy javë para fundit të kampionatit zviceran, Ajeti është favoriti kryesor për ta marrë Këpucën e Artë në Zvicër. /Telegrafi/